
Në ditët e sotme, sëmundjet mendore janë një tematikë shumë e prekshme. Ato kanë simptoma të ndryshme dhe ndikojnë jo vetëm në jetën, përditshmërinë dhe ndjesitë e personit që vuan prej tyre, por edhe në ato të njerëzve përreth. Në këtë artikull do të të këshillojmë se si të ndihmosh partneri/ en në luftën me “sëmundjet e padukshme”.
1. Mos dil në përfundime
Shenjat dhe reagimet e sëmundjeve mendore janë shumë të larmishme, në varësi të spektrit ku përkasin. Nëse partneri/ ja bën një sjellje të caktuar, thjesht komuniko dhe kupto limitet e tij/ saj. Dalja në një përfundim të caktuar përkeqëson situatën dhe e bën personin tjetër të ndihet i pakuptuar dhe në faj.
2. Pyete për çfarë ka nevojë
Edhe nëse nuk mundesh të bësh gjë, është një pyetje kaq e çiltër dhe tregon përkujdes. Pyete partnerin/ en për çfarë ka nevojë, si mund ta ndihmosh ose thjesht bëja të ditur që je prezent/ e në çdo çast për të.
3. Mëso më shumë rreth sëmundjes
Sa më shumë të kërkosh dhe mësosh rreth një sëmundjeje mendore, aq më mirë do të jetë. Kështu, do të arrish të identifikosh shenjat e caktuara, kushtet në të cilat ndodhet partneri/ ja, si dhe do të marrësh këshillat e duhura si të veprosh në situata të ndryshme.
4. Vëzhgo dhe mbaj shënime
Nëse identifikon një sjellje të përsëritur, vëzhgo çfarë e streson personin tjetër dhe shënoji të gjitha situatat dhe reagimet e tij/ saj.
5. Dëgjoje!
Zakonisht, personi që vuan nga një sëmundje mendore e caktuar nuk flet shumë rreth saj, ama kur e bën, thjesht qëndro në moment, dëgjoje me vëmendje dhe kupto ndjesitë apo mendimet e tij/ saj. Gjithashtu, mos bëj komente të tipit: “Në fakt, nuk dukesh kaq keq”, apo “Shikoje botën me pozitivitet”. Nëse do të mundej, do e bënte!
6. Kuptoje që ndryshimi i humorit të tij/ saj nuk varet nga ti
Je i/ e surprizuar kur papritur partneri/ ja nis të qajë me dënesë dhe pyet veten cili ishte gabimi yt? Askund! Nëse personit që vuan nga një sëmundje mendore i ka ndodhur diçka që e ka stresuar, kjo mund të jetë mënyra si e shpreh. Ti nuk ke të bësh fare dhe as pse të ndihesh në faj. Ki durim dhe mundohu t’i ngresh humorin.
7. Mos harro të kujdesesh për veten
Nëse nuk kujdesesh për veten, normalisht që nuk do kujdesesh dot për dikë tjetër. Edhe nëse partneri/ ja ka kaluar një ditë sfiduese, nuk ke pse heq dorë nga nevojat e tua. Idealisht, të dy ju mund të keni miq, të afërm dhe familjarë me të cilët shpenzoni kohë, ndaj në rastet kur ke nevojë të pushosh, thjesht mere pushim.
8. Bëhu pjesë e rrugëtimit
Mos i ndal kërkimet dhe përpjekjet. Ki parasysh që konsistenca është çelësi i çdo arritjeje, por pa harruar edhe veten.
Artikuj të sugjeruar: