Mbi 240 mijë shqiptarë të moshave nga 20 deri në 79 vjeç vuajnë nga diabeti, por të paktën gjysma e tyre nuk e dinë. 1 në 8 të rritur është me diabet dhe ky numër rritet nga viti në vit. Këto janë të dhënat alarmuese që deklaroi dje Prof. Dr. Agron Ylli, Drejtues i Departamentit të Endokrinologjisë pranë QSUT-së.
Edhe pse çdo 14 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Diabetit, organizohen evente ndërgjegjësuese, akoma shqiptarët nuk po ndërgjegjësohen sa duhet.
Për këtë arsye dje ekspertët e Shoqatës Shqiptare të Endokrinologjisë dhe përfaqësuesit e një prej kompanive më të mëdha farmaceutike në botë, Sanofi, organizuan check up-e falas për të matur nivelet e sheqerit në gjak.


Por përpara kësaj, në një event ndërgjegjësimi folën gjerë e gjatë për atë se çfarë është diabeti, cilat janë simptomat e tij dhe përse është kaq e nevojshme të edukohen fëmijë, të rinj e të rritur për të kontrolluar diabetin. Bashkë me ta ishte edhe Ambasadorja Franceze në Shqipëri, Christina Vasak.

Edhe pse kompania Sanofi organizon me dhjetëra evente për edukimin mbi diabetin çdo vit, edhe ata që vuajnë nga kjo sëmundje dhe trajtohen me mjekime efikase si Toujeo, barnat janë vetëm një pjesë e kujdesit që çdo i sëmurë me diabet duhet të ketë për veten. Sikurse theksoi Prof. Dr. Agron Ylli, Drejtues i Departamentit të Endokrinologjisë në QSUT, diabeti kërkon që çdo ditë të kujdesesh për dietën dhe të bësh ushtrime, krahas trajtimit me medikamente.
Prandaj diagnostifikimi i hershëm është shpëtimtar: një matje e thjeshtë e niveleve të sheqerit në gjak mund t’ju kursejë shumë vuajtje.
Përse shqiptarët nuk po edukohen siç duhet lidhur me kontrollin e diabetit?
Sipas ekspertëve të Shoqatës Shqiptare të Endokrinologjisë, edukimi është pika më e rëndësishme dhe pika e dobët e shqiptarëve për diabetin. Edhe pse në disa qytete të Shqipërisë janë vendosur dhoma edukimi pranë qendrave spitalore, ka akoma shumë punë për të bërë.
“Shumë shqiptarë nuk e kanë bërë asnjëherë analizën e sheqerit në gjak, megjithëse inkurajohen vazhdimisht ta bëjnë këtë.”, u shpreh Pr. Dr. Agron Ylli.

Ndërkaq, përfaqësuesi i kompanisë Sanofi në Shqipëri, zoti Bledar Shorri, tregoi se çdo vit kompania organizon me dhjetëra evente ndërgjegjësuese në shumë qytete të Shqipërisë, por prapë shqiptarët nuk po kontrollohen sa duhet.
Anabel.al e pyeti nëse, si përfaqësues i një prej emrave më të mëdhenj të farmaceutikës, në veçanti edhe për ilaçet dhe pajisjet për matjen e glicemisë dhe aplikimin e insulinës, do të sjellin nismat ndërkombëtare të Sanofi-t edhe në Shqipëri, Shorri u përgjigj se i gjithë theksi do të jetë tek edukimi i mjekut të familjes dhe pacientit.
“Sanofi ka disa nisma në shumë vende të botës, që ne i kemi sjellë dhe do t’i sjellim edhe në Shqipëri. Një ndër nismat më të fundit ka qenë edukimi i mjekëve të familjes. Në dy vitet e fundit po edukojmë mbi 1 mijë mjekë familjeje, nëpërmjet leksioneve nga ekspertët më të mirë, shqiptarë dhe të huaj. Në një kohë të shkurtër, do të sillen në Shqipëri edhe projekte dhe programe të tjera që aplikohen edhe në Evropë.
Në plan kemi më shumë programe për edukimin e pacientit, në fushën e edukimit dhe të parandalimit. Në bashkëpunim me Shoqatën e Endokrinologjisë, brenda vitit 2018 duam të fokusohemi tek edukimi i pacientit.”

Cilat janë simptomat e diabetit?
Simptomat kryesore të diabetit janë urinimi i shtuar, etje e vazhdueshme, uri e vazhdueshme, humbje në peshë dhe gjendje e përhershme lodhjeje.
Megjithatë, ndërsa këto simptoma gjenden në masë për diabetin e tipit 1 (diabeti që prek moshat nën 20 vjeç), për moshat më të mëdha mund të mos shfaqen kaq dukshëm, ndaj një i sëmurë me diabet mund të mos e vërejë për vite me radhë derisa t’i shfaqen komplikacione.
Nga dallon diabeti i tipit 1 nga diabeti i tipit 2?
Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimune që karakterizohet nga mungesa e prodhimit të insulinës nga pankreasi. Insulina është hormoni që rregullon nivelin e sheqerit në gjak dhe në rast se kjo prodhohet më pak se ç’duhet, niveli i glukozës ngrihet përtej masës normale, duke shkaktuar simptomat e mësipërme. Zakonisht, ky tip i diabetit prek njerëz të moshave nën 20 vjeç, edhe fëmijët. Pothuajse çdo 6 minuta, një person nën moshën 15 vjeç zbulon se ka diabet.
Megjithatë, rreth 90% e personave me diabet kanë diabetin e tipit 2.
Diabeti i tipit 2 është një çrregullim i metabolizmit që shkakon dy dëme kryesore: nga njëra anë prodhimin e pamjaftueshëm të insulinës dhe nga ana tjetër, paaftësinë e trupit për t’iu përgjigjur insulinës që është prodhuar, pra trupi s’e asimilon siç duhet këtë hormon, duke çuar në nivele të pazakonta të glukozës në gjak.
Diabeti nuk është një sëmundje që rri vetëm
Diabeti shkakton një sërë çrregullimesh të tjera tek ata që e vuajnë. Nivelet e larta të glicemisë, kur nuk kontrollohen nga i sëmuri, mund të sjellin sëmundje të syve, deri në verbim, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të veshkave, dëmtim të nervave dhe mund të sjellin këmbën diabetike, kur tek këmbët krijohen gangrena për shkak të diabetit. Nëse gangrenat përhapen shumë, mund të duhet edhe të amputosh këmbën.
Diabeti është ndër sëmundjet më shqetësuese nëpër botë, ku sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit 415 milion njerëz jetojnë me diabet. Pra, 1 në 11 njerëz në botë vuajnë nga kjo sëmundje. Brenda vitit 2040, pritet që 1 në 10 njerëz të vuajnë nga diabeti.
Diabeti s’është një sëmundje që i takon vetëm të sëmurit; i takon familjes së tij, që çdo ditë duhet të kujdeset për të e të shpenzojë shumë para. I takon shoqërisë, pasi sipas statistikave, 12% e shpenzimeve botërore për shëndetin shkojnë për diabetin.
Por gjithçka nis nga ti, ndaj mos mos u kurse të bësh një matje të thjeshtë insuline. Në aksion për diabetin!*
*Take action for diabetes është motoja e nismës së Sanofi-t për ndërgjegjësimin lidhur me diabetin