Rita Ora, 6 muajt e fundit ka qënë në një betejë gjyqësore me Jay Z. Kompania e Jay Z e ka hedhur në gjyq këngëtaren shqiptare dhe i ka kërkuar një dëmshpërblim prej 2.4 milion $ për shkelje të rregullave të kontratës. Ata kanë thënë se Rita nuk ka përmbushur numrin e përcaktuar të këngëve dhe albumeve që i është kërkuar nga shtëpia diskografike përgjatë periudhës që ka bashkëpunuar me ta. Nga ana tjetër Rita pretendon se ajo ka pasur plot materiale gati, por kompania nuk ia ka publikuar.
Kjo gjë e ka mbajtur Ritën të bllokuar prej kohësh dhe e ka penguar atë të punojë me kompani të tjera. Por, dokumenti i fundit i lëshuar nga gjykata tregon se dy palët kanë arritur një marrëveshje të përbashkët. “Rita është mëse e lumtur që më në fund mund të fillojë të punojë me shtëpi të tjera diskografike. Ajo e ka pritur për një kohë të gjatë këtë lajm. Direkt pas përfundimit të xhirimeve për filmin ‘Fifty Shades Darker’, ajo do të fillojë punën për një album të ri,” ka thënë një burim për The Sun.
“Ajo mezi po pret t’i rikthehet muzikës së saj. Rita ka shumë respekt për Jay Z dhe i është mirënjohëse për gjithçka që ai ka bërë për karrierën e saj. Pavarësisht problemeve, ajo kurrë nuk e ka hedhur poshtë punën e tij,” ka thënë një person i afërt i saj.
Shfletoni galerinë
Burimi: DailyMail/ Përshtati: Mikaela Brokëri