
Autoritetet amerikane po hetojnë një “vrasje të dyshuar” pasi regjisori i njohur Rob Reiner, 78 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Michele Singer Reiner, 68 vjeçe, u gjetën të vdekur në banesën e tyre në Brentwood, Los Angeles. Lajmi ka tronditur Hollywood-in, ku Reiner konsiderohej “një nga regjisorët më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë”.

Djali i tyre, Nick, po merret në pyetje nga policia, pasi sipas disa burimeve që kanë folur për familjarët, thonë se autor i vrasjes dyshohet të jetë djali i çiftit, Nick Reiner. Policia ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë version.

Sipas raportimeve, trupat e një burri 78-vjeçar dhe një gruaje 68-vjeçare u gjetën pas një kërkese për ndihmë mjekësore drejtuar Shërbimit Zjarrfikës të Los Angeles-it. Më pas, Departamenti i Policisë konfirmoi se detektivët e njësisë për grabitje dhe vrasje po i hetojnë vdekjet si “vrasje të mundshme”. Media amerikane raportoi se të dy viktimat kishin plagë që përputhen me sulm me thikë.
Një përfaqësues i familjes Reiner konfirmoi vdekjet të dielën në mbrëmje:
“Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të Michele dhe Rob Reiner. Jemi të shkatërruar nga kjo humbje e papritur dhe kërkojmë privatësi në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë.”
Shefi i detektivëve të policisë së Los Angeles-it, Alan Hamilton, deklaroi se hetimi është ende në vazhdim dhe se aktualisht nuk ka asnjë të dyshuar apo person nën hetim. Anëtarët e familjes do të merren në pyetje.

Jeta dhe karriera
Rob Reiner ishte i martuar me fotograferen Michele Singer Reiner që nga viti 1989. Ata u njohën gjatë xhirimeve të filmit "When Harry met Sally", dhe pikërisht romanca e tyre e frymëzoi Reiner-in të ndryshonte fundin fillestar të filmit, duke e bërë atë një histori dashurie me fund të lumtur.
I lindur në vitin 1947 në Bronx, New York, Reiner ishte djali i aktorit legjendar komik Carl Reiner dhe këngëtares Estelle Rebost. Karrierën e nisi si aktor në vitet ’60-të, duke u bërë i famshëm me rolin e Michael “Meathead” Stivic në serialin "All in the Family", për të cilin fitoi dy çmime Emmy.

Debutimi i tij si regjisor erdhi në vitin 1984 me filmin satirik "This Is Spinal Tap". Më pas realizoi një sërë filmash tashmë klasikë të kinemasë botërore, mes tyre "Stand By Me", "The Princess Bride", "When Harry Met Sally", "Misery dhe A Few Good Men", ky i fundit i nominuar për Oscar si filmi më i mirë. Reiner e konsideronte "Stand By Me" si veprën e tij më personale, pasi ishte filmi i parë që e nxori plotësisht nga hija e të atit.

Në vitet pasuese ai realizoi edhe filma të tjerë të njohur dhe vazhdoi të shfaqej herë pas here si aktor në role të vogla në kinema dhe televizion. Gjithashtu, ai ishte bashkëthemelues i kompanisë së famshme të prodhimit Castle Rock Entertainment, që qëndron pas sukseseve si "The Shawshank Redemption" dhe serialit "Seinfeld".

Angazhimi publik dhe jeta personale
Përveç artit, Reiner ishte i njohur edhe si aktivist politik dhe kritik i hapur i ish-presidentit amerikan Donald Trump. Ai ishte bashkëthemelues i Fondacionit Amerikan për të Drejta të Barabarta, i cili luajti rol kyç në heqjen e ndalimit të martesave mes personave të së njëjtës gjini në Kaliforni.

Rob dhe Michele Reiner lanë pas tre fëmijë: Jake, Nick dhe Romy. Reiner ishte gjithashtu babai adoptiv i aktores Tracy Reiner, vajza e bashkëshortes së tij të parë, Penny Marshall, e cila ndërroi jetë në vitin 2018.
Hetimet për rrethanat e vdekjes së çiftit vazhdojnë.
