CEO i Facebook, Mark Zuckerberg i ka ndërtuar bashkëshortes së tij një kuti të drunjtë rrëzëllitesë që e ndihmon të flejë gjumë. Por pse?
Gruaja e tij, Priscilla Chan, kujdeset për dy vajzat e vogla që kanë bashkë. “Të jesh nënë është e vështirë,” shkruan Zuckerberg në Instagram. “Që kur jemi bërë me fëmijë, Priscilla ka pasur probleme me gjumin dhe nuk flinte dot gjatë natës.”
“Ajo zgjohet dhe kontrollon telefonin për të parë sa është ora për të llogaritur kur do të zgjohen fëmijët, por duke ditur sa është ora, stresohet dhe nuk fle më.”
Shpikja e Zuckerberg – e quajtur “kuti gjumi” – emeton një dritë të butë mes orës 6 dhe 7 të mëngjesit. Në këtë mënyrë, Chan kupton kur mund të zgjohen vajzat pa pasur nevojë të kontrollojë telefonin.
Duke qenë se kutia nuk e tregon sa është ora, Chan mund të flejë sërish pa pasur frikë se mos zgjohet shumë vonë. Drita është mjaftueshëm e fortë sa të ndihet nëse Chan është prag zgjimit, dhe mjaftueshëm e butë sa për të mos e shqetësuar nëse është në gjumë të thellë.
Zuckerberg e bëri publike idenë e tij në rast se ndonjë sipërmarrës do ta realizojë në shkallë të gjerë për të ndihmuar më shumë njerëz.
“Si inxhinier, të ndërtoj një pajisje që partnerja ime të flejë më mirë, është një ndër mënyrat më të mira për të shprehur mirënjohjen dhe dashurinë time,” shkruan Zuckerberg. “Shumë prej miqve të mi më kanë thënë që u nevojitet diçka e ngjashme.”