
Ka njerëz që kur i takon, nuk të shkon mendja kurrë sa vjeç janë realisht. Flasin ndryshe, sillen ndryshe, duket sikur e kanë jetuar jetën dyfish më shumë se moshatarët e tyre. E vërteta është se disa njerëz janë detyruar të rriten më shpejt nga sa duhet, jo prej zgjedhjes së tyre, por sepse jeta nuk u ka lënë shumë opsione.
Po si e kupton kur dikush është rritur para kohe? Ja disa shenja që flasin vetë:
1. Sillen gjithmonë si të rritur
Nëse i sheh gjithmonë seriozë, të ftohtë apo edhe pak të ashpër për moshën që kanë, ka një arsye. Janë mësuar të mbajnë barra. Nuk dinë të relaksohen, sepse për ta, pushimi është luks, jo domosdoshmëri. Janë 20-vjeçarë që sillen si prindër me 4 fëmijë dhe 3 kredi.
2. Marrin rolin e kujdestarit pa ua kërkuar
Kur janë afër fëmijëve, instinktivisht bëhen "prindër". Edhe nëse vetë nuk kanë qenë kurrë fëmijë. Janë ata që ndihen përgjegjës për gjithçka dhe të gjithë, edhe kur askush s’ua kërkon. Jo sepse duan, por sepse janë mësuar që dashuria fitohet duke u kujdesur për të tjerët.
3. E kanë të vështirë të vendosin kufij
Kanë frikë të thonë "jo", sepse janë mësuar të jenë "fëmijë të mirë", të mos bezdisin, të bëjnë gjithçka për t’u pranuar. Janë njerëz që shpesh e gjejnë veten në marrëdhënie ku japin shumë dhe marrin shumë pak. Dhe kjo i lodh pafund.
4. Dinë gjëra që s’duhet t’i dinë
Një fëmijë 14-vjeçar që flet për taksa, kredinë e shtëpisë, ose problemet e prindërve, ka parë shumë. Dhe jo sepse donte. Në shumë raste, janë rritur në mjedise ku s’ka pasur kufij emocionalë dhe janë ekspozuar ndaj të vërtetave që s’janë për një mendje të brishtë.
5. Janë gjithmonë në ankth
Duken sikur janë gati për të shpërthyer ose për të shpëtuar nga diçka. Trauma që kanë kaluar i ka bërë të jenë shumë vigjilentë. Janë gjithmonë gati për t'u përballur me më të keqen. Sepse e kanë përjetuar më të keqen që herët.
6. Janë perfeksionistë
Janë ata që gjithmonë kërkojnë të jenë më të mirët. Jo për krenari, por nga frika e dështimit. Prindërit i kanë rritur me idenë se vlera e tyre varet nga arritjet. Kështu që ata punojnë, studiojnë, sakrifikojnë, edhe kur janë në limit.
7. Nuk e duan ndryshimin
Për njerëzit që janë rritur duke kontrolluar çdo gjë që mundnin, risitë janë stresuese. Ata nuk duan eksperimente. Nuk janë spontanë. Janë të lodhur nga kaosi dhe nuk e tolerojnë dot pasigurinë.
8. Janë më të fortë nga ç'duken
Nëse dikush është rritur para kohe, ka zhvilluar një lloj force që nuk mësohet me kalimin e viteve dhe vjen nga mbijetesa. Janë ata që bien dhe ngrihen, përsëri dhe përsëri. Edhe pse shpesh janë të brishtë brenda, e kanë mësuar ta mbajnë veten.
9. S’kanë durim për sjellje të papjekura
Njerëzit që janë detyruar të rriten shpejt nuk kanë durim për "drama", lojëra, naivitete. Janë realistë, ndonjëherë cinikë. Shpesh i gjykojnë të tjerët që e kanë pasur më lehtë sepse thellë-thellë, janë të lënduar që vetë s’e kanë njohur kurrë luksin e të qenit "fëmijë".
10. Nuk i kuptojnë fëmijët që sillen si fëmijë
Kur sheh dikë që nuk kupton pse fëmijët luajnë me lodra, pse adoleshentët rebelohen apo pse njerëzit qeshin kot, ke para vetes një person që s’ka pasur kurrë mundësinë të jetë i/e vogël. Për ta, fëmijëria nuk është e natyrshme, është një koncept abstrakt.
Burimi: Your Tango