Fill pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, disa artistë anulluan koncertet e tyre, veprim mëse i kuptueshëm në atë moment. Të tjerë – si Mozzik, Capital T, Noizy, Ledri Vula, Tuna, Fifi etj. – u morën personalisht me mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmave, strehimin e banorëve dhe/ose me organizimin e eventeve për mbledhjen e donacioneve. Emra të tjerë shfrytëzuan rrjetet sociale për të shpërndarë çdo thirrje për ndihmë ose informacion të nevojshëm për banorët e prekur nga tërmeti dhe jo vetëm. Sot, një pjesë i është kthyer koncerteve dhe performancave dhe jo sepse ndihen më mirë, përkundrazi, por është një formë për të kontribuuar në ndihmë të atyre që kanë nevojë.
Në një nga puntatat e “NIN”, të drejtuar nga Alaudin Hamiti, i cili bashkëpunoi me "Fundjavë Ndryshe" për të mbledhur para live në emision, Tayna telefonoi dhe bëri me dije se nuk do t’i ndërpresë koncertet, por të gjitha të ardhurat nga koncertet e saj do të shkojnë në ndihmë të familjes Abazi nga Kosova, e cila humbi dy djemtë nën rrënojat e hotel Tropikal në Durrës.
Emra të tjerë si Hersi Matmuja apo Ronela Hajati njoftuan se të ardhurat e koncerteve do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti. “Më pëlqen fakti që disa artistë po vazhdojnë të japin koncerte, të vazhdojnë të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Kemi nevojë të gjithë që ta kalojmë këtë situatë,” shkruan dikush në Instagramin e @anabel_hostel.
Gjesti i producentit Ardit Gjebrea u vlerësua jashtëzakonisht shumë nga njerëzit. Siç mund ta keni lexuar, ai e ktheu festivalin “Kënga Magjike” në një mision humanitar. Të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë për të ndihmuar ndërtimin e shtëpisë së familjes Caci, në Thumanë. “Ne këtë kemi në dorë, artistët do këndojnë dhe jo më për garë, por për art dhe kontribut,” shkroi Gjebrea në Instagram. “Nuk mund të ndodhte ndryshe. Një bravo e madhe,” shkruan dikush për vendimin e producentit.
Koncerte dhe evente të tilla kanë rëndësi sepse jo vetëm që kontribuojnë në mbledhjen e fondeve, por në të njëjtën kohë rrisin solidaritetin në një situatë aspak të lehtë si kjo e fundit.
Komente: