
Nëse mendonit se telenovela Ferragnez përfundoi, prisni pak, sepse Fedez ka rrëfyer gjithçka në autobiografinë e tij të re, me një titull sa filozofik po aq dhe dramatik: “L’acqua è più profonda di come sembra da sopra” (në shqip, “Uji është më i thellë nga ç'duket nga sipër”).
Dhe flet për gjithçka: nga dashuria me Chiara Ferragni-n, te tradhtitë emocionale, tumori, Sanremo dhe, natyrisht, Pandoro-gate.
“Ishim dy botë të ndryshme që s’mund të bashkëjetonin”
Në faqet e para, Fedez pranon se marrëdhënia me Chiara kishte shumë bukuri, por edhe shumë përplasje të heshtura që, me kohën, krijuan një hendek të thellë:
“Ishim dy botë të ndryshme që ishin të destinuara të largoheshin. Diferencat mes nesh dilnin në sipërfaqe si ajsbergë që mezi prisnin ta fundosnin anijen,” shkruan ai.
Pjesë e këtyre përplasjesh ishte edhe bota e modës dhe personazhet plot famë e pushtet që vinin bashkë me të:
“E pranova pasivisht atë realitet, arkitektët e modës në Milano, njerëzit e 'së ardhmes', por për mua, gjithçka brenda saj kishte një erë të kalbur.”
“Nuk i duroja darkat, thjesht rrija në celular”
Nuk është e vështirë të kuptosh që Fedez nuk ishte i lumtur në jetën e tij shoqërore gjatë martesës. Ai përshkruan se ndihej si i huaj në një realitet që nuk e ndjente të vetin:
“Në ato darka, isha thjesht prezent fizikisht. Nuk i shikoja njerëzit në sy. Mërzitesha, më dukeshin të kotë, plot mendime për veten pa asnjë arsye. Shtatë vite me thashetheme të modës? Boll.”
Angelica? Historia e "universit paralel"
Në libër, Fedez flet për një tjetër emër që u përfol shumë pas ndarjes: Angelica Montini. Ai sqaron se e kishte njohur Angelica-n para se të martohej me Chiara-n dhe se lidhja e tyre ishte e vërtetë, por ndryshe:
“Ishte një ndjenjë e fortë, ajo që të kap në gjoks dhe të lë gjak... Por jo, nuk është e vërtetë që e kam telefonuar pesë minuta para martesës.”
Për të dyja gratë në jetën e tij, ai bën dallimin:
“Me Chiara-n jeta ishte si një reklamë e Mulino Bianco-s, e përsosur, e paketuar, me drita. Por me Angelica-n nuk kishte skena, nuk kishte spektakël. Ndjenja për Chiara-n ishte reale. Ndjenja për Angelica-n ishte ndryshe. Me Chiara-n doja të ndërtoja. Me Angelica-n doja të ëndërroja.”
Pavarësisht gjithçkaje, Fedez i dedikon dhe ca fjalë të ndjera ish-bashkëshortes së tij:
“Me Chiara-n kam ndarë frikërat më të mëdha. Ajo ka qenë krahu im i djathtë. Më ka dëgjuar kur gjithçka më dukej e pashpresë. Më ka bërë të mos ndihem vetëm.”
Dhe ndonëse historia e tyre ka marrë fund, dëshira e tij për të mbetur një prind i mirë është më e fortë se çdo gjë:
“I uroj një të ardhme të ndritshme dhe të lumtur, sidomos për fëmijët tanë sepse ata meritojnë të rriten në një ambient të shëndetshëm.”