
FBI ka publikuar dy fotografi të një personi të dyshuar për vrasjen me armë zjarri të aktivistit konservator 31-vjeçar, Charlie Kirk, duke kërkuar ndihmën e publikut për identifikimin e tij. Autoritetet kanë vendosur një shpërblim prej 100,000 dollarësh për çdo informacion që çon në identifikimin dhe arrestimin e autorit ose autorëve të krimit.
Në fotografitë e publikuara, i dyshuari shfaqet i veshur me bluzë të zezë me imazhin e flamurit amerikan, kapelë bejsbolli dhe syze dielli të errëta.
Publikimi i imazheve sugjeron se hetuesit nuk kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin përmes teknologjisë së njohjes së fytyrës apo metodave të tjera. Më herët, shefi i policisë deklaroi se fotot do të bëheshin publike vetëm nëse identifikimi përmes mjeteve të avancuara dështonte.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas Departamentit të Sigurisë Publike të Utah-ut, autori i dyshuar mbërriti në ambientet e universitetit pak para mesditës, u ngjit në çatinë e një ndërtese përballë vendit ku pritej të shfaqej Charlie Kirk, dhe që andej ekzekutoi një të shtënë të vetme që e goditi Kirk në qafë. Pas atentatit, personi u hodh nga çatia dhe u largua në drejtim të një lagjeje aty pranë.
Hetuesit thonë se kanë ndjekur lëvizjet e të dyshuarit ndërsa ai ngjitej në çati, dhe aktualisht po analizohen të gjitha pamjet e disponueshme për të përcaktuar identitetin e tij.
Ndërkohë, disa raporte të hershme të publikuara nga ëall Street Journal kanë cituar burime të brendshme që pretendojnë se plumbat e përdorur në sulm ishin të gdhendur me slogane pro-transgjinore dhe antifashiste. Po ashtu, është përmendur se pranë vendngjarjes mund të jenë gjetur grafite në mbështetje të komunitetit transgjinor, megjithatë këto të dhëna nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Një zyrtar i lartë i policisë, i njohur me hetimin, ka deklaruar se raportet në fjalë nuk janë verifikuar nga analistët e departamentit dhe mund të përbëjnë keqinterpretim të provave.