Ditën e djeshme, Shqiptarja.com publikoi rastin e Shkëlqim Koçit, xhaxhait të Greta Koçit, i cili u dënua me 7 vite burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u zbulua se mashtronte njerëz duke i thënë se do të merrnin viza amerikane dhe kanadeze. Ai u premtonte se do t’i bënte pjesë të stafit të këngëtares, e cila mban koncerte në SHBA dhe Kanada. Në një letër publike të postuar në Instagram, Greta Koçi thotë se “artikujt nuk kanë lidhje me të”.
“E kuptoj që portalet përdorin emrat e artistëve për të gjeneruar klikime dhe para, POR kjo nuk do të thotë që kanë të drejtë të shpifin e të njollosin emrin tim apo të kujtdo tjetër. Këtë emër, e kam ngritur me shumë punë, mundim dhe me mbështetjen e një publiku fantastik. Nuk ka të drejtë ASKUSH, ASKUSH të shkelë mbi të.
Aq sa dini ju për këtë ‘artikull’, aq di dhe unë. Në të përmendet se një nga anëtarët e fisit tim (xhaxhai), është i përfshirë në një proces gjyqësor. Për këtë unë nuk jam as e përfshirë dhe as nuk kam njohurinë më të vogël.”
Në vijim të deklaratës së saj, Greta thekson se “përfaqëson veten, juridikisht dhe moralisht”.
“Të dashur miq që më keni mbështetur gjatë gjithë karrierës sime, në çdo segment jetësor unë përfaqësoj vetveten. Asnjë njeri tjetër nuk më përfaqëson mua, qoftë juridikisht apo moralisht. Askush nuk ka të drejtë të thirret në emrin tim sikurse as unë në emrin e tjetrit. Veprimet e secilit janë personale dhe është e padrejtë të referohen mbi mua, vetëm pse unë njihem në publik.”
Në përfundim, këngëtarja shton se “lidhjet familjare nuk i diktojmë ne, ato janë të diktuara para se të shkelim në këtë botë”.
"Nuk kam shkelur dhe nuk do shkel kurrë asnjë rregull. Veprimet, qoftë të bukura apo të dëmshme të njerëzve të tjerë, për mua janë të huaja dhe nuk pranoj asnjëherë të ndërlidhem me ASNJË prej tyre. Sidoqoftë, lidhjet familjare nuk i diktojmë ne, ato janë të diktuara para se ne të shkelim në këtë botë. Unë mbaj përgjegjësi vetëm për veprimet e mia dhe të asnjë njeriu tjetër, kushdo qoftë ai apo ajo."
View this post on Instagram