Pak ditë më parë, Autoriteti i Mediave Audiovizive i tërhoqi vëmendje RTSH pasi transmetoi këngë të Cecës, gruas së kriminelit të luftës Arkan dhe mbështetëses së grupeve paramilitare që shkatërruan Bosnjen dhe Kosovën. Teknikisht nuk bëhet fjalë për një ndalim të muzikës së saj në Shqipëri, por një paralajmërim që të evitohet repertori i saj.
Sipas AMA-s, “këngëtarja serbe i është bashkuar disa herë, publikisht, zërave antishqiptarë për Kosovën.” Pas këtyre akuzave, Ceca u prononcua për mediat serbe duke thënë se këngët e saj bazohen në dashuri, e jo në urrejtje.
“Nuk jam e informuar se këngët e mia janë ndaluar në Shqipëri. Mendoj se muzika nuk duhet të ketë kufij dhe pengesa. Të paktën ky është rregulli që kam mësuar gjatë më shumë se 30 viteve karrierë. Nuk kam dërguar asnjë mesazh politik ose urrejtje përmes këngëve të mia. Janë të bazuara në mesazhet e dashurisë sepse bashkojnë njerëzit. I dua të gjithë njerëzit,” mësohet të ketë thënë ajo.