
Duke nisur nga vjeshta e vitit shkollor 2026, të gjitha shkollat dhe “afterschool” në Suedi do të jenë të detyruara të mbledhin dhe të mbajnë telefonat celularë të nxënësve deri në fund të ditës mësimore.
Ky ndalim në shkallë kombëtare synon të përmirësojë sigurinë dhe cilësinë e mësimdhënies, duke reduktuar shpërqendrimin e nxënësve.
Rregulli i ri do të zbatohet për të gjithë fëmijët nga 7 deri në 16 vjeç dhe është pjesë e një pakete më të gjerë reformash që u prezantua nga qeveria suedeze të martën, më 16 tetor. Përveç ndalimit të telefonave, paketa përfshin gjithashtu ndryshime në kurrikulë, sistemin e notimit dhe trajnimin e mësuesve.
Për zbatimin e kësaj mase, buxheti i shtetit për vitin 2026 parashikon 95 milionë korona suedeze (rreth 8.72 milionë euro), ndërsa për vitin pasardhës janë planifikuar 100 milionë korona.
Edhe pse shumë shkolla në Suedi tashmë ua marrin telefonat nxënësve në fillim të ditës, shumë prej tyre e anashkalojnë, duke dorëzuar telefona të tjerë apo duke pretenduar se e kanë harruar apo që pajisja nuk punon.
“Ky vendim do të vlejë për të gjithë nxënësit, në të gjitha klasat në Suedi. Nuk është opsional. Ky është një investim historik në arsim, programi më i madh i reformës në 30 vitet e fundit,” – tha Ministrja e Arsimit, Simona Mohammsson, ish-kryetare e Partisë Liberale.
Masa të ngjashme edhe në vende të tjera nordike dhe europiane
Danimarka njoftoi po ashtu planet për të ndaluar përdorimin e telefonave celularë në shkolla dhe qendra krijuese, duke u bazuar në rekomandimet e një komiteti qeveritar që sugjeroi që fëmijët nën 13 vjeç të mos kenë telefona inteligjentë apo tabletë.
Norvegjia, ndërkohë, ka vendosur një kufi moshe prej 15 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale, duke akuzuar kompanitë teknologjike se “po synojnë të hyjnë në trurin e fëmijëve të vegjël”.
Një studim i kohëve të fundit në Holandë, i cili nxiti zbatimin e ndalimit të celularëve në klasa nga janari 2024, tregoi përmirësime të dukshme:
75% e shkollave raportuan se nxënësit përqendroheshin më mirë,
28% panë përmirësim në performancën shkollore.
Franca gjithashtu ka forcuar ndalimin e celularëve në shkolla që nga shtatori i vitit të kaluar.
Në një kohë kur shqetësimet për ndikimin e teknologjisë te fëmijët po rriten, vendime si ky i Suedisë po shihen si hapa të guximshëm për të rikthyer vëmendjen te mësimi, përqendrimi dhe mirëqenia e të rinjve.