
Trump i bën thirrje NATO-s të ndalojë blerjen e naftës ruse, kërcënon Kinën me tarifa
Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të NATO-s që të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia, ndërsa paralajmëroi Kinën për tarifa që variojnë nga 50% deri në 100%, për shkak të importeve të saj të naftës ruse.
“Kina ka kontroll të fortë, madje edhe një ‘grusht’ të hekurt mbi Rusinë, dhe këto tarifa të fuqishme do ta thyejnë këtë kontroll,” shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social, të shtunën.
Ai shtoi se angazhimi i NATO-s për të fituar luftën “nuk ka qenë as afër 100%” dhe e quajti “tronditëse” faktin që disa anëtarë të aleancës vazhdojnë të blejnë naftë ruse.
Frikë nga sulme me dronë: Forcat polake dhe aleate qëndrojnë në gatishmëri
Të shtunën pasdite, avionë luftarakë polakë dhe ato të aleatëve u aktivizuan për një operacion “parandalues” në hapësirën ajrore të Polonisë, për shkak të një kërcënimi të mundshëm me dronë në zonat kufitare me Ukrainën, njoftuan autoritetet.
Gjatë alarmit që zgjati rreth dy orë, u mbyll përkohësisht edhe aeroporti në qytetin lindor të Lublinit.
Ky incident ndodhi pas një rasti të mëparshëm të mërkurën, kur dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë dhe u rrëzuan nga avionët luftarakë të NATO-s, mes shqetësimeve në rritje për agresionin rus në Ukrainë, i cili filloi në shkurt të vitit 2022.
Ushtria izraelite bastis shtëpinë e regjisorit palestinez të filmit fitues të Oscar
Të shtunën, ushtarë izraelitë kryen një bastisje në shtëpinë e Basel Adra në Bregun Perëndimor, një nga regjisorët e filmit “No Other Land”, fitues i çmimit Oscar. Lajmin e konfirmoi vetë Adra.
Ai tha se ushtarët e pyetën bashkëshorten e tij, Suha, për vendndodhjen e tij dhe kontrolluan telefonin e saj. Në shtëpi ndodhej edhe vajza e tyre nëntë muajshe gjatë bastisjes.
Më herët gjatë ditës, ishte sulmuar fshati i tij, duke lënduar dy vëllezërit dhe një kushëri të Adrës.
Mbi 100,000 njerëz protestojnë në Londër në marshimin e ekstremit të djathtë
Më shumë se 100,000 persona marshuan të shtunën në rrugët e Londrës në një protestë të organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson.
Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, njihet për pikëpamjet e tij nacionaliste dhe kundër emigrantëve. Ai e prezantoi protestën si një demonstratë për lirinë e fjalës dhe në mbrojtje të trashëgimisë dhe kulturës britanike.
Tubimi “United the Kingdom” mblodhi rreth 110,000 pjesëmarrës, sipas vlerësimeve të policisë. Në të njëjtën kohë u mbajt edhe një kundërprotestë e quajtur “Marshi kundër fashizmit”, e organizuar nga grupi Stand Up to Racism, me rreth 5,000 protestues.