
Britney Spears ka zhdukur befas llogarinë e saj në Instagram, në mes të postimeve të çuditshme dhe shqetësuese, dhe mes një përplasjeje të hapur me ish-bashkëshortin Kevin Federline, i cili po nxjerr librin me kujtime ku e portretizon Britney-n si një nënë jo e mirë.
Prej datës 2 nëntor, Instagram-i i Britney-t nuk ekziston më dhe, kur kërkohet, shfaqet mesazhi se profili “mund të jetë hequr”. Kjo lëvizje vjen pasi fansat ngritënalarmin për disa video të fundit të saj, ku ajo kërcente në dhomën e ndenjjes, me komente të mbyllura, teksa në krahë i dalloheshin mavijosje dhe kishte fashë rreth duarve. Në ato postime, Britney përmendte fëmijët e saj, Sean Preston, 20 vjeç, dhe Jayden James, 19 vjeç, të cilët jetojnë në Hawaii me Kevin Federline.

Në një postim të 7 tetorit, Spears tregoi se ishte “rrëzuar nga shkallët” në shtëpinë e një mikeje, duke shpjeguar se plaga “i hapej here pas here” dhe se nuk ishte e sigurt nëse i ishte thyer kocka.
“Nuk jam këtu për keqardhje,” shkroi ajo. “Ky është mënyra ime për të shprehur veten, për të falur, për t’u lutur… jam mirë dhe kam mbështetje. Ju uroj një ditë të mrekullueshme!”
Në një tjetër postim të 19 tetorit, ajo foli për periudhën e vitit 2018 kur ishte dërguar katër muaj në rehabilitim gjatë kujdestarisë dhe tha se “kishte pësuar dëmtim të trurit”. Më pas, publikoi një foto dhe e krahasoi shpinën e saj me “krahë të prerë”, duke shkruar se “askush s’mund të t’i marrë krahët që të jep Zoti”.
Britney përmendi edhe një përvojë “traumatike” të përshkruar në librin e saj "The Woman in Me", duke thënë se për katër muaj “nuk kishte privatësi, as të drejtë të përdorte trupin e saj për të ecur nga dhoma në dhomë”.

Ndërkohë, Kevin Federline po promovon librin e tij "You Thought You Knew", ku bën pretendime për sjelljen e Britney-t si nënë, për martesën dhe për marrëdhënien e saj me fëmijët. Ai shprehet se “kishte frikë se asaj do t’i ndodhte diçka e keqe”.
Britney iu kundërpërgjigj në platformën X, duke e akuzuar për manipulim dhe për përfitim emocional e financiar ndaj saj:
“Kur e do dikë pa kushte, nuk e poshtëron publikisht,” shkroi ajo. “Më kanë dashur, pastaj më bëjnë të ndihem sikur jam e keqja… Dhe si është e mundur që të tjerët pasurohen me dhimbjen time?”
Përmes një deklarate, përfaqësuesit e Britney Spears reaguan ndaj librit të Kevin Federline:
“Është zhgënjyese që ai vazhdon të përfitojë prej saj, sapo përfundoi pagesa e kujdestarisë financiare për fëmijët,” thanë ata. “Britney mendon vetëm për djemtë e saj.”




