Ne nuk jemi kritikë aktrimi, por meqë gjykojmë në mënyrë sipërfaqësore, na lejohet të themi se Genc Jakupi është goxha djalë.
Ish-baristi i klubeve në New York ka një karrierë të vërtetë në jetën e natës, që i mundësoi kontaktet me shumë njerëz të famshëm në Hollywood. Për vite me radhë, Genc Jakupi ka qenë mikpritës në një prej klubeve më të përfolura në skandalet mediatike, “The Box”, ku tërhoqi vëmendjen e parë në median amerikane.
Në 2016-ën Genc Jakupi shfaqet në filmin “Bleed for this” të regjisorit Ben Younger. Këtu ka një rol dytësor, atë të një trajneri boksi. Subjekti i filmit përqëndrohet në ndeshjet e boksit, siç kuptohet edhe nga titulli (Të luftosh deri në përgjakje). Protagonist në këtë film është aktori Miles Teller, i njohur për filma si „War Dogs“ apo „Divergent“.
Jakupi, me prejardhje nga Kosova, ka luajtur më parë edhe në një tjetër film, “Ëndrra amerikane“, një projekt me buxhet më të vogël që tregonte jetën e një shqiptari që shkonte për të jetuar në SHBA.