
Shpesh i kemi parë në tapetin e kuq duke u puthur. Në intervista duke folur me dashuri për njëri-tjetrin. Në rrjete sociale me dedikime që na kanë bërë të besojmë se “dashuria e vërtetë ekziston”. Por ja që edhe dashuritë e mëdha lodhen. Nicole Kidman dhe Keith Urban janë zyrtarisht në rrugë ndarjeje pas gati dy dekadash martesë.
Sipas burimeve pranë çiftit, arsyeja kryesore? Një përzierje mes mungesës së intimitetit, distancës fizike dhe... agjendave të mbushura deri në fund. Të gjitha këto duket se kanë bërë që marrëdhënia të kalojë nga pasion dhe partneritet në bashkëjetesë pa emocione.
Një burim për Daily Mail ka zbuluar se marrëdhënia e çiftit kishte kohë që nuk ishte ajo që dukej.
“Nuk ka më intimitet mes tyre, po veprojnë thjesht si bashkëshortë me detyrim,” tha burimi.
Keith Urban, sipas të njëjtit burim, nuk ndihej më i lumtur në martesë dhe vendosi të përballej me Nicole. Fatkeqësisht, kjo përballje rezultoi të ishte momenti kyç që çoi në ndarje. Kidman, nga ana e saj, thuhet se ka mbetur e tronditur dhe e papërgatitur, por shpreson ende që gjërat të rregullohen, veçanërisht me festat që po afrohen dhe ditëlindjen e Urban muajin tjetër.
Nicole, e vetme në shtëpi, duke mbajtur gjithçka bashkë
Ndërkohë që Keith është në turne me “High and Alive” në SHBA dhe Kanada, Nicole ka mbetur në Nashville me vajzat e tyre, Sunday Rose dhe Faith Margaret. Burimet për TMZ pohojnë se ajo ka qenë "forca që i mban të gjithë bashkë" në këtë periudhë të vështirë.
Ndërkohë, Keith është shpërngulur nga rezidenca familjare, një pronë prej 4 milionë dollarësh, në një shtëpi të re në Nashville. Sipas The Blast, vendimi i tij për të jetuar veç është një tregues i qartë se ndarja nuk është thjesht një krizë kalimtare.
Pse u larguan në heshtje nga njëri-tjetri?
Një ndër arsyet më të mëdha të tensioneve ishte distanca fizike. Nicole, gjatë verës, ka jetuar në Londër për xhirimet e “Practical Magic 2”, ku ka marrë me qira një vilë prej 65 mijë paundësh në muaj. Kjo do të thotë: mijëra kilometra larg burrit të saj.
Dhe pas vdekjes së nënës së Nicole vitin e kaluar, burimet thonë se gjërat kanë ndryshuar dukshëm. Edhe pse flisnin çdo ditë, lidhja mes tyre po zbehej.
“Është tronditëse sa shumë kohë kanë kaluar të ndarë që nga vdekja e nënës së Nicole,” tha një burim për Daily Mail. “Është si të kenë marrë rrugë të ndryshme që atëherë.”
Nicole nuk dorëzohet: “Unë nuk e doja këtë ndarje”
Edhe pse Keith ka bërë një hap pas, Nicole vazhdon të luftojë për martesën. Vetëm në qershor të këtij viti, ajo postoi një dedikim romantik për përvjetorin e tyre të 19-të:
“Gëzuar përvjetorin, zemër @KeithUrban”
Dhe në dhjetor 2024, në një intervistë për PEOPLE, ajo fliste me entuziazëm për romancën:
“Më pëlqen kur më fton në darka. Nuk më thotë ku do të më çojë, më pëlqejnë surprizat. Befasomë, zemër!” u shpreh Nicole.
Dhe tani... çfarë ndodh?
Çifti u martua në vitin 2006 në Sydney dhe u konsiderua për shumë vite si një ndër lidhjet më të qëndrueshme në Hollywood. Dhe pse tani ndodhen në një periudhë të vështirë, burimet thonë se shpresa për ribashkim ende ekziston.
“Kanë kaluar gati dy dekada bashkë. Ka ende një mundësi që ata mund t'i rregullojnë gjërat,” tha një burim për The Blast.