
Nëse po planifikon të veshësh streçe këtë vjeshtë, ndalo për një sekondë dhe shiko çfarë ka bërë Jennifer Lopez. Sepse nëse ka një personazh që e di si të duket kaq seksi edhe kur shkon në palestër (ose te brunch-i pas saj), ajo është J.Lo.
Ajo u fotografua në New York këtë fundjavë me një bluzë gri me kapuç, syze të mëdha, atlete të bardha dhe, gjëja që na intereson më shumë, streçe në ngjyrë hiri ose “heather black”. Një kombinim super i thjeshtë, por me zero gabime.
Po çfarë është kjo “heather black”? Është ajo nuanca mes grisë së errët dhe të zezës, që duket moderne dhe shumë më interesante se e zeza klasike. Të japin ndjesinë e luksit sportiv pa u munduar fare dhe janë perfekte për t’u kombinuar me atlete të bardha, çanta minimaliste ose xhupa të fryrë.
Sipas ekspertëve të modës, kjo ngjyrë është zyrtarisht trend për vjeshtën 2025. Ndryshe nga streçet e zeza që i kemi parë kudo, kjo nuancë është më e sofistikuar, ndërkohë që mbetet po aq e thjeshtë për t’u stiluar. Dhe një bonus: nuk del kurrë nga moda.