
Çfarë sjell sezoni i ri në botën e grimit? Cilat janë ngjyrat, teksturat dhe stilet që mbizotërojnë në pasarela dhe që shumë shpejt do t’i shohim edhe në rrugët e qytetit? Shtëpitë e mëdha të modës kanë folur dhe ne kemi përzgjedhur tendencat kryesore që do të shoqërojnë grimin këtë sezon.
Blush
Një fytyrë që shkëlqen nga blush-i është gjithçka që kërkojmë në muajt e ftohtë. Ky produkt bëhet protagonisti kryesor, jo vetëm në faqe, por edhe në qepalla dhe buzë, duke krijuar një pamje monokromatike, të lehtë dhe të kuruar. Sekreti? Tekstura kremoze e bën lëkurën të duket më me jetë.
Vetëm rimel
Ka ditë kur më pak është më shumë. Një shtresë e lehtë rimeli mjafton për të hapur sytë dhe për të dhënë pamje të freskët dhe të pastër, ndërsa pjesa tjetër e fytyrës mbetet minimaliste dhe natyrale. Ky stil nuk kërkon shumë, por jep maksimumin.
Buzët e vjeshtës
Buzët marrin frymëzim nga natyra, me tone toke të ngrohta. Burgundy, nude, kafe janë zgjedhje mjaft të sofistikuara. Teksturat mat janë kryefjalë këtë sezon.
Shkëlqim natyral
Tendenca më “e shëndetshme” e sezonit? Buzët natyrale, të hidratuara dhe me një shkëlqim të lehtë. Vajrat dhe balsamet me ngjyra të zbehta vazhdojnë të jenë të preferuarat tona, perfekte për ata që duan një pamje delikate dhe të bukur.