Kinema & TV

Çmimet Oscar 2016: Shqipëria nominon filmin 'Bota'

22 Shtator 2015

Çmimet Oscar 2016: Shqipëria nominon filmin 'Bota'

"Bota", me skenar të Iris Elezit dhe regji të Elezit dhe bashkëshortit të saj Thomas Logorecit, është filmi që Shqipëria nominon për edicionit të 88-të të çmimeve Oscars, në kategorinë e filmave të huaj.

Vendimi është marrë të hënën nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe juria ka vendosur të përzgjedh këtë film si përfaqësues të Shqipërisë në Academy Awards 2016. Filmi, një bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë dhe Kosovës është një histori që ndërthur të shkuarën dhe të tashmen në një histori të fuqishme dashurie dhe tërheqjeje.

Duhet thënë se ccdo shtet përfaqësues në Oscars ka të drejtën e nominimit të një filmi por pas kësaj faze është Akademia që vendos të kandidojë (zakonisht) 5 ndër filmat e nominuar nga shtete të ndryshme.

Filmi shqiptar trajton historinë e Benit , luajtur nga Artur Gorishti, një kriminel i rëndomtë dhe donzhuan dhe e të dashurës së ti të re, bukuroshe-Nora, luajtur nga Fioralba Kryemadhi, kamariere në lokal në një lagje periferike të mbuluar nga plehrat, pamje që shërben si një sfond i zymtë për një histori krijuese dhe të pasur me imazhe të paharrueshme.

"Bota", i cili ka pasur premierën botërore vitin e shkuar në festivalin "East of the West" në Karlovy Vary, Çeki, ku fitoi çmimin e kritikës "Fedeora", u shfaq edhe në fillim të këtij viti në Festivalin Iranian të Filmit, në San Francisco.

Filmi ka fituar edhe çmime të tjera që përfshijnë çmimin e jurisë në South East European Film Festival në Los Angeles, çmimin e audiencës dhe atë FIPRESCI në Festivalin e Filmit në Reykjavik.

Fundjavën e shkuar, filmi u vlerësua gjithashtu me çmim në Festivalin e Filmit Ballkanik në Pogradec.

Burimi: hollywoodreporter.com

Përshtati: Jolinda Levonja