Shqipëria

Këto 5 veprime që bëjnë turistët në Shqipëri me siguri ju irritojnë shumë dhe ju

Shkruar nga Anabel

9 Qershor 2025

Këto 5 veprime që bëjnë turistët në Shqipëri

Shqipëria është kthyer në një destinacion sa vjen e më të nxehtë turistik. Deti është i kaltër, ushqimi është i shijshëm dhe çmimet janë akoma “të arsyeshme” krahasuar me fqinjët.

Por, si në çdo vend tjetër që papritur zbulon që s'është aq tmerr sa ç'mund të kishe menduar më parë me paragjykim, ka disa sjellje nga turistët që vendasit i vëzhgojnë me sy kritikë.

Ja 5 sjellje që, edhe pse nuk adresohen me zë si problematika, turistët i bëjnë gjithmonë:

1. Flasin me zë shuuumë të lartë 

Në rrugë, në restorant, në plazh – disa turistë kanë një timbër zëri që thyen valët e Jonit. Nuk ka asnjë nevojë të dëgjojmë si po ia tregoni burrit që nuk doni më të hani qofte, apo si iu humbi karikuesi në hostel.

Shqiptarët vërtet nuk janë të qetë si skandinavët, por zëri ulëritës në publik është një "jo" e madhe dhe mungesë e respektit.

2. S’marrin mundimin të flasin shqip 

Ndonjëherë as anglisht, por vetëm në gjuhën e tyre mëmë. Një “përshëndetje”, një “faleminderit”, një “ju lutem” nuk është shumë për të kërkuar. Disa turistë as nuk përpiqen – flasin vetëm në italisht, frëngjisht, rusisht, gjermanisht, ose ndonjë dialekt të vetin me bindjen që shqiptarët duhet t’i kuptojnë.

3. Janë të dehur (ose më keq) në publik 

Lungomarja nuk është Ibiza. Dhe nuk ka asgjë të bukur nëse je duke u mbajtur pas një shtylle sepse e teprove me rakinë apo çfarëdo substance tjetër që vendose të mbikonsumosh sepse "të tolerohet kur je me pushime".

4. Regjistrojnë gjithçka - sidomos njerëz të tjerë - për rrjetet e tyre sociale

Kur një influencuese filmon kamerieren që i solli kafen “pak vonë” dhe bën një story me mbishkrimin “shërbimi më i keq ndonjeherë”, vendasit e shohin dhe e mbajnë mend.

E njëjta vlen për ata që filmojnë njerëz në plazh, treg, rrugë - pa kërkuar leje, vetëm që të bëjnë përmbajtje për TikTok. Privatësia është e çmuar në çdo vend të botës, nuk ke një free pass vetëm sepse mund të kesh perceptimin se ky rregull nuk vlen në Shqipëri.

5. Nuk kuptojnë fare konceptin e hapësirës publike

Bllokojnë rrugë biçikletash, ecin mes korsive, shpesh në grupe të mëdha dhe po, shumë të zhurmshme. Ndoshta në vendin e tyre ka sistem. Këtu, po përpiqemi ta ndërtojmë. Rrugët për biçikleta janë për... biçikleta. Por jo, disa turistë ecin qetë mes për mes sikur janë në park. Shqiptarët ndoshta nuk bërtasin, por ai vështrimi i gjatë është gjykim i pastër.

Gjithsesi, shumë nga këto sjellje ndoshta nuk janë nga keqdashja, por thjesht mungesa e njohjes me kulturën vendase. Shumë turistë nuk e dinë se Shqipëria është mikpritëse, po edhe krenare. 

E kuptojmë që vigjilenca dhe kujdesi ulet kur ke vendosur të shijosh disa ditë për qejfin tënd në një vend të huaj. Por një "faleminderit", një zë pak më i ulët dhe pak më shumë respekt për rregullat e pashkruara do të të bëjnë të dukesh si mysafir, jo si barrë apo bezdi.

Artikuj të sugjeruar: