
Ndërkohë që të dhënat ekonomike flasin për rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe zhvillim të sektorëve të caktuar, një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare po përjeton një realitet krejt tjetër. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat (via Monitor.al), Shqipëria kryeson listën për Europën përsa i përket përqindjes më të lartë të popullsisë në rrezik për varfëri dhe përjashtim social – me rreth 42% të shqiptarëve që jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe sociale.
Përkthyer në shifra, bëhet fjalë për më shumë se 1 milion shqiptarë që konsiderohet se vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë. Çfarë do të thotë “varfëri e rëndë” në këtë kontekst?
Sipas standardeve të përcaktuara nga Eurostat, një familje është në këtë kategori nëse nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 kushtet bazë të jetesës, të cilat ndahen në dy grupe: në nivel individësh dhe në nivel familjar.
Disa prej kategorive përfshijnë:
- Vonesa në pagesat e qirasë, kredive apo shërbimeve bazë
- Pamundësia për të shkuar me pushime për të paktën një javë në vit
- Mungesa e një vakti me mish, peshk ose ekuivalent çdo dy ditë
- Mungesa e mundësisë për të përballuar një shpenzim të papritur prej 30,000 lekësh
- Shtëpi e ftohtë në dimër për shkak të pamundësisë për ngrohje
- Pamundësia për të pasur një makinë për përdorim personal
- Mungesa e mobilieve funksionale ose e mundësisë për t’i zëvendësuar

Shqipëria është në krye të listës për përjashtim social dhe varfëri, duke lënë pas edhe vende të tjera me sfida të ngjashme në rajon.
Këto të dhëna vënë në dukje një kontrast të fortë mes statistikave makroekonomike dhe realitetit të jetesës për një pjesë të madhe të qytetarëve. Rritja ekonomike mund të jetë një fakt, por nëse ajo nuk përkthehet në përmirësim real të jetës së përditshme, atëherë kujt i shërben në të vërtetë?