"Po e shkruaj këtë si një prind, me shumë dashuri, por edhe me shumë zemër të ngarkuar. Sot, vajza ime mbushi 10 vjeç… por nuk ia thamë. Ajo nuk e di që sot është dita e saj. Dhe, sado çuditshëm tingëllon, besoj se bëmë gjënë e duhur.
Nuk është se nuk donim ta festonim, përkundrazi. Por para dy vitesh, organizuam një ditëlindje për të gjatë pushimeve të dimrit – në periudhën kur shkollat janë mbyllur. Askush nga shokët dhe shoqet e saj nuk pranuan që të vinin. Ajo e priste me padurim, kishte folur gjatë për të… por askush nuk erdhi. Na dhembi zemra. Nuk është një fëmijë që qan për çdo gjë, por atë ditë, ajo u mbyll në vete. Që atëherë, e kuptuam se për të, kjo ditë ishte shumë më e ndjeshme sesa për fëmijët e tjerë.
Vitin që shkoi, bëmë një kompromis: festuam në ditën e saktë me shoqen e saj të ngushtë dhe prindërit e saj – e çuam në kinema, hëngrëm jashtë. Pastaj, disa javë më vonë, organizuam një festë më të madhe për shoqet e shkollës. Dhe ndodhi prapë – disa u vonuan, disa nuk erdhën fare. Vajza ime ka çrregullim të spektrit autik dhe ka vështirësi në përpunimin e informacionit që dëgjon, ndaj për të ishte shumë e vështirë ta kuptonte pse ndodhin këto gjëra.
Këtë vit, bashkë me bashkëshorten time, vendosëm të bëjmë diçka ndryshe: nuk do t’ia tregonim se ishte ditëlindja e saj. I thamë se ka edhe 18 ditë, dhe ajo e besoi – sepse për të, numrat dhe koha janë shumë të rëndësishme, i mban mend gjithmonë.
Sigurisht që nuk e lamë ditën pa asgjë. I sollëm ushqimin e saj të preferuar, planifikuam një darkë ndryshe. E pamë të lumtur. Nuk ndjeu mungesë dashurie. Përkundrazi, ndjeu që ne ishim aty për të – pa zhgënjime, pa ankth, pa dhimbje.
E di që disa do thonë: “Si more nuk i thua fëmijës tënd që ka ditëlindjen?” Por ju lutem, më besoni. Kur je prind i një fëmije që i ndjen gjërat më fort se shumica, që nuk kupton gjithmonë arsyet pse të tjerët nuk vijnë, kur çdo përpjekje për të festuar kthehet në stres… nuk është e lehtë. Dhe kur ndjen se dështimet e shoqërisë bien mbi supet e fëmijës tënd – si prind, do bësh gjithçka për ta mbrojtur.
Sot, nuk pati tortë. Por pati qetësi. Dhe dashuri. Dhe më shumë kuptim se çdo festë që kam parë ndonjëherë," shkruar nga një baba i sinqertë.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.