Letrat tuaja

Mes nesh: "Si nënë e re, më habisin njerëzit që ma bëjnë gjithmonë këtë pyetje"

Shkruar nga Anabel

9 Maj 2025

 

Mes nesh: "Si nënë e re, më habisin njerëzit që ma

"S'i numëroj dot sa herë mund të më kenë thënë në këto 7 muaj “Po hë, a të ka lodhur vajza?" që kur e kam sjellë në jetë. “Jo, jo, jam mirë,” përgjigjem gjithmonë dhe më shikojnë sikur nga cili planet kam zbritur.

Po, kjo pyetje më është bërë shumë e zakonshme që pas lindjes. Ndonjëherë më pyesin njerëz që nuk më njohin fare, ndonjëherë miqtë më të ngushtë dhe gjithmonë më bëjnë të mendoj: “Pse presin që të jem gjithmonë e lodhur?”

Kjo ideja e “nënës së lodhur” është shumë e përhapur, dhe shpeshherë paraqitet nëpër filma, televizion dhe madje edhe në rrjetet sociale. Shpeshherë, kur dilnim bashkë me burrin dhe vajzën, prapë më drejtonin këtë pyetje, duke thënë: “Po, si je? Kushedi sa mund të jesh lodhur!”

Po, ishte e vërtetë që çdo ditë kishim sfida dhe lodhje, por nuk ishte aq dramatike sa për t’u ankuar gjithmonë. Po, isha lodhur, por jo deri në atë pikë që të kërkoja ndihmë nga çdo njeri që takoja.

Vajza ime kaloi muajin e parë në spital, dhe unë isha gjithmonë aty, duke bërë pompimin e qumështit çdo tri orë. Me dhimbje dhe lodhje, por gjithmonë me shpresë që do ktheheshim sa më shpejt në shtëpi. Pasi kjo ndodhi, çdo ditë me të ishte një mundësi për të kaluar më shumë kohë së bashku si familje.

Ndërkohë që shumë gra ankohen për lodhjen që sjell fëmija, siç lexova dhe historinë e një gruaje këtu te ju Anabel, për mua nuk ishte ashtu. Po, kishte momente të vështira, s'po minimizoj vuajtjen e dikujt tjetër absolutisht, por unë nuk isha në atë pikë ku e gjithë jeta ime dukej si një ankth i vazhdueshëm.

Pavarësisht lodhjes, ndjeja një falënderim të madh për çdo çast me vajzën time. Nuk do ta mendoja kurrë se do të arrija deri këtu, duke u përballur me disa vite të vështira për të pasur një fëmijë. Pas vitesh të tëra duke luftuar për të sjellë një fëmijë në jetë, më në fund, çdo moment me të ishte një dhuratë që doja ta shijoja pa u ankuar.

Për të qenë e sinqertë, vështirësia e madhe që kalova me fertilitetin, mendoj se më bëri më të fortë për të rritur vajzën pa u fokusuar në anët negative të kësaj përvoje të re. Ndihesha e fortë, e motivuar, sepse e dija që çdo moment që kaloja me të ishte një mundësi që kisha pritur shumë gjatë për ta jetuar.

Për disa, mëmësia është një rrugë e mbushur me ankesa dhe lodhje të përhershme, por për mua, ka qenë një udhëtim i mbushur me mirënjohje dhe gëzim, edhe kur isha e lodhur. Nuk është se duhet të mbajmë maska dhe të pretendojmë gjithmonë se jemi plot energji, por për të pranuar që, po, është e vështirë, por gjithashtu është një dhuratë."

Shënim: Artikulli është përshtatur nga redaksia për qëllime editoriale dhe qartësie. Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Të tjera letra: