Letrat tuaja

Mes nesh: "Të tregoj se si më në fund mësova ta dua gjoksin tim të vogël"

Shkruar nga Anabel

23 Maj 2025

Mes nesh: "Të tregoj se si më në fund mësova ta dua

"Kur isha e vogël, si shumë prej nesh, ëndërroja për veten time të rritur. E imagjinoja veten si mësuese, me fustan serioz, një burrë që më donte dhe fëmijët që më thërrisnin “mami”. Imagjinoja dhe trupin tim të ardhshëm – të bukur, prej gruaje, me çdo pjesë ashtu "siç duhej".

Disa nga ëndrrat u bënë realitet. U martova, u bëra nënë. Mësuese nuk u bëra. Dhe po, u rrita, mora formën time të rritur. Por jo siç e kisha imagjinuar.

Puberteti për mua erdhi pak vonë në fakt. Megjithatë, mbeta 1.57 cm e gjatë, me trup të imët dhe një gjoks që me zor mbushte dhe reçipetat më të vogla.

Shoqëria na mësoi që për të qenë “femërore” dhe tërheqëse, një grua duhet të ketë gjoks të madh, të paktën këtë perceptim pata unë. Nuk ishte i vetmi mesazh që dëgjoja, por ishte më i forti. Në çdo film, reklamë, klip, revistë... përsëritej një ide: të qenit seksi niste nga përmasat e gjoksit.

Dhe sipas këtij standardi, unë nuk isha asnjëherë “e plotë”. Pavarësisht se trupi im ishte i bukur në mënyrën e vet, ndihesha sikur më mungonte diçka.

Kur u dashurova me djalin që më vonë do të bëhej im shoq, ai kurrë nuk më bëri të ndihesha keq për madhësinë e gjoksit. Por pasiguria jetonte brenda meje. Madje mendova edhe për implantet, me idenë se një ditë, pasi të bëja fëmijë dhe të mbaroja me gjidhënien, do ta “rregulloja”.

Por gjërat nuk shkuan siç e kisha planifikuar, në mënyrën më të bukur të mundshme.

Lindja e fëmijës së parë më bëri të shihja trupin tim me një admirim të ri. Gjinjtë e mi "funksionuan" – prodhuan qumësht, shumë në fillim, pastaj mjaftueshëm. Për herë të parë i kisha “mesatare” në madhësi. Dhe ndihesha mirë.

Pastaj lindi fëmija i dytë. Dhe për herë të parë po filloja të ndihesha e lirë në trupin tim.

Pastaj erdhën të 40-at. Fillova terapi. Fillova të shkruaj. Fillova të njihja veten.

Tani jam 42 vjeç. Dhe për herë të parë, më në fund, e dua veten. Jo vetëm për trupin tim – por për mendjen time. Për butësinë, për krijimtarinë, për mënyrën si kuptoj njerëzit dhe si shprehem.

E dua hundën time pak më të madhe, rrudhat rreth syve kur qesh. Sepse janë të miat. Dhe e dua gjoksin tim – jo sepse është i madh, por sepse është pjesë e imja.

Nuk më është dashur kurrë një trup ndryshe. Më është dashur një dashuri ndryshe.
Dashuri për veten. Dhe tani më në fund e kam. :)" - nga një grua shqiptare, për çdo vajzë që s’e ka ndjerë veten “mjaftueshëm”.

Shënim: Artikulli është përshtatur nga redaksia për qëllime editoriale dhe qartësie. Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.