Showbiz dhe TV

Pasi tha “kur kam rrahur gruan time…”, Klodian Duro kërkon “VAR” në televizion

Shkruar nga Anabel

7 Maj 2025

 

Pasi tha “kur kam rrahur gruan time…”, Klodian Duro

Ish-futbollisti Klodian Duro, i ftuar në emisionin “Andale Sport”, foli ndër të tjera për për përjashtimin e bujshëm nga “Big Brother”, duke e krahasuar me përvojat e tij në fushën e futbollit.

Në një intervistë që zhvillohej në formën e një paralelizmi mes karrierës së tij sportive dhe përplasjes mediatike në BBVA, Duro u shpreh me tone të qarta zhgënjimi për mënyrën si u trajtua rasti i tij brenda shtëpisë.

“Të kishte pasur VAR s’do kisha dalë nga shtëpia asnjëherë në botë. Mua s’më lejuan as VAR, as pamje, asgjë, as përballje me publikun, as votime. Aq i fortë paskam qenë.”

Për kujtesë: Duro u përjashtua nga BBVA-3 një deklarate që lidhej me dhunën ndaj grave. Gjatë një bisede, ai tha:

“Ruajuni nga unë se unë kur kam rrahur gruan time, e di si më dukeni ju?”. Deklarata shkaktoi reagime të forta në publik dhe rrjete sociale. Duke qenë se në vitin 2020 Duro ishte arrestuar për shkelje të urdhrit të mbrojtjes ndaj ish-bashkëshortes dhe për kanosje, komentet e tij brenda reality-shoë-t u konsideruan të papranueshme.

Në “Andale Sport”, ai shtoi se përjashtimi përmes një zarfi të zi, pa pasur mundësi për reagim apo sqarim publik, ishte më i rëndë se çdo përvojë tjetër personale.

“Kjo është më e keqe sepse nuk të jep mundësinë të përballesh, të tregosh atë që ti je. Njerëzit personifikohen nga gabimet e tyre dhe nga gabimet mësoj, por nëse gabon edhe të pritet koka, mendoj se kjo është rruga më e gabuar e mundshme.”

Qasja e tij në “Andale Sport” duket si një përpjekje për të riformuluar perceptimin publik ndaj tij, por jo domosdoshmërisht një reflektim i thelluar mbi rëndësinë e deklaratave që çuan në largimin nga reality show. Krahasimi me sistemin VAR – një mekanizëm i drejtësisë në ndeshjet sportive – synon të zhvendosë fokusin nga përmbajtja e rëndë e deklaratës për dhunën, drejt mënyrës sesi u menaxhua ajo nga produksioni.

Nga një këndvështrim, kërkesa e tij për të pasur mundësi për përballje dhe sqarim publik është legjitime në një shoqëri që i jep rëndësi reflektimit dhe rehabilitimit. Megjithatë, mënyra si e formon këtë kërkesë, me nota vetëjustifikimi dhe duke e portretizuar veten si “viktimë” të një procesi të padrejtë, rrezikon të normalizojë një temë jashtëzakonisht serioze: dhuna.

Në vend që të theksojë peshën dhe përgjegjësinë për fjalët e veta, Duro përpiqet të fitojë simpati me anë të analogjive sportive dhe mungesës së “pamjeve”. Kjo qasje, për shumë njerëz, duket si shmangie nga përgjegjësia dhe jo një reflektim i sinqertë.

Artikuj të sugjeruar: