Dhuna duket të jetë së fundmi “gjella e përditshme” që i serviret popullit tonë. Thënë kjo, duke iu referuar shpullës së Jozit në "BBVA", dhunës psikologjike të Albës në "Ferma VIP", të dyja ngjarje të regjistruara në televizion kombëtar, ose rastet e trishta të dhunës së edukatoreve apo fëmijëve mes njëri-tjetrit në shkolla. Fatkeqësisht, vendi ynë është tronditur jo pak nga lajmet e kronikës së zezë, që nga vrasja e Martin Canit e deri te vetëvrasjet e adoleshentëve.
A kanë mjaftuar këto raste për të na ndërgjegjësuar? Një përgjigjje përfundimtare nuk mund ta them, por një përshtypje mbi realitetin e gjejmë lehtësisht në komentet e videove me përmbajtje dhune.
Mëngjesin e sotëm, 24 prill, e nisa me një video të tmerrshme, ku një nënë dhunonte të birin në qytetin e Tiranës. Përpos shokut që përjetova nga videoja, edhe komentet qenë shokuese.
Disa prej tyre:
“Provo të më filmosh mua!”, ose “Ku e gjen të drejtën të filmosh?!”
Jo, nuk është një koment klishe. Një komenti i tillë, i cili merr edhe qindra pëlqime/aprovime nga të tjerët, tregon qartazi qasjen e një pjesë të shoqërisë sonë ndaj dhunës. Në sloganet kundër dhunës shohim vazhdimisht fjalën “Denonco”, por duket se kjo thirrje nuk ka sensibilizuar këdo. Ky koment tregon se jo vetëm që dhuna perceptohet si normale, por denoncimi i saj është një mendim mjaft i largët dhe mbi të gjitha dhunuesi, pasi të ketë dhunuar, duhet të merret edhe me ato që marrin guximin të raportojnë rastin.
“Edhe ne jemi rrahur, mirë na ka bërë!”
Po, brezi i prindërve tanë nuk kanë ditur të bëjnë më mirë, madje kanë bërë keq duke na dhunuar. Dhuna nuk është sinonim i disiplinës dhe ajo që jemi sot nuk është përcaktuar nga numri i shuplakave që kemi “ngrënë fytyrës”. Në një botë me të gjitha mundësitë e informimit, mjafton një klikim për të kuptuar se pasojat e dhunës janë të tmerrshme, por jo vetëm fizikisht. Ajo që jemi sot, një sërë faktorësh apo traumash që mund të na vështirësojnë jetën, padiskutim që mund t’i kenë rrënjët në fëmijërinë e hershme dhe në dhunën me mjetet rrethanore, sa herë që nervat e prindërve tanë shteronin.
“Ju që gjykoni, a keni fëmijë vetë? A e dini sa naze kanë?”
Po, fëmijët kanë naze, ndaj dhe konsiderohen të tillë. Nuk mund të pritet sjellje e maturuar nga të vegjlit. Së dyti, (e dimë që dhemb), sjellja e fëmijës diktohet nga mënyra e prindërimit. Pra, nëse fëmija juaj ka një sjellje të pavend, do të thotë se nuk është edukuar si duhet. Megjithatë, nuk është kurrë vonë. Nëse lini komentet e pavenda mënjanë, lexoni një informacion në internet apo në ndonjë libër, mbase do të mësoni teknika prindërimi që do të lehtësojnë këto proces aq të komplikuar e të vështirë, për të cilin kurrsesi nuk duhen fajësuar fëmijët. Po, janë shumë faktorë që ndikojnë në “tekat” e fëmijëve, që nga teknologjia e deri te prindërit që duhet të punojnë shumë për t’i rritur, por sjellja në jetë e një fëmijë është zgjedhje, ndaj dhuna nuk mund të jetë zgjidhje. Nervat, paratë dhe të gjitha mund të rikthehen, por jo fëmijëria e tyre.
“I ktheu dorë nënës, qenka fëmijë problematik”
Në fakt, fëmija nuk është problemi. Ai është “pasqyra” që reflekton atë që shikon e përjeton në familje, shkollë e shoqëri. Në një shoqëri që normalizon dhunën, kundërpërgjigjja do jetë po e njëjtë. E vërteta është që “dora e kthyer” është një këmbanë alarmi për vetëm një arsye: Cikli i dhunës që vijon.
Prindërit/mësuesit na kanë rrahur, ne do të rrahim fëmijët tanë dhe ata do të na kthejnë dorë. Do të jetë ky cikli që do na shoqërojë për aq kohë sa dhuna shihet si e vetmja formë disiplinimi dhe fëmija konsiderohet si një “barrë”. Prindërimi është sfidues, rritja dhe edukimi i një fëmijë është mjaft i vështirë, nënat apo baballarët mund ta gjejnë veten shpesh në situata që s’do e kishin menduar kurrë, por asnjë nga këto nuk duhet të prodhojë dhunë.
Në mbyllje: “Fëmijëria është kopshti që luajmë kur rritem”, ndaj mos bëni asgjë dhe mos mbështesni asnjë veprim, që do bënte që një i rritur të mos donte më kurrë të kthehej në këtë kopsht.
Shënim: Për shkak të ndjeshmërisë që mbart, video në fjalë nuk u bë pjesë e artikullit.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.