Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

21 Mars 2025

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Protesta masive kundër Erdogan, mijëra njerëz mblidhen në Stamboll

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Mijëra njerëz janë mbledhur jashtë bashkisë së Stambollit për të dytën natë radhazi për të protestuar kundër arrestimit të kryebashkiakut të qytetit. Protestuesit e cilësojnë këtë arrestim si një përpjekje politike për të eliminuar rivalin kryesor të Erdogan nga gara e ardhshme presidenciale.

Ekrem Imamoglu, një kundërshtar i shquar politik i presidentit, Rexhep Tajip Erdogan, u arrestua pas një bastisjeje në rezidencën e tij të mërkurën, si pjesë e hetimeve për lidhjet e dyshuara për korrupsion dhe terrorizëm.

Prokurorët e akuzojnë atë se ka shfrytëzuar pozicionin e tij për përfitime financiare, duke përfituar nga fondet publike.

Nuk ndalen sulmet: Ukraina sulmon pikën strategjike ruse

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Ukraina goditi një aeroport të madh rus të bombarduesve strategjikë të enjten me dronë, duke shkaktuar një shpërthim të madh dhe zjarr rreth 700 km nga vijat e frontit të luftës , thanë zyrtarët rusë dhe ukrainas.

Videot e verifikuara nga Reuters tregojnë një shpërthim masiv që u përhap nga fusha ajrore, duke shkatërruar shtëpitë pranë. Ministria ruse e mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar 132 dronë ukrainas mbi rajonet ruse.

Qeveria e Netanyahut miraton shkarkimin e kreut të Shin Bet mes protestave

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Qeveria izraelite votoi të premten për shkarkimin e kreut të shërbimit të brendshëm të inteligjencës, Shin Bet. Vendimi do të hyjë në fuqi më 10 prill, tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu. Votimi u zhvillua pas tre ditësh protesta nga qytetarë që kundërshtonin shkarkimin e tij.

Netanyahu tha këtë javë se kishte humbur besimin te Ronen Bar, i cili ka udhëhequr Shin Bet që nga viti 2021.

Bar nuk mori pjesë në mbledhjen e kabinetit, por në një letër dërguar ministrave tha se procesi rreth shkarkimit të tij nuk përputhej me rregullat dhe shkarkimi i tij ishte bazuar në pretendime të pabaza.

Mbyllet aeroporti i Heathrow, zjarr në nënstacionin elektrik

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Aeroporti Heathrow i Londrës, një ndër më të populluarit në Europë, është mbyllur për shkak të një zjarri në një nënstacion elektrik që furnizon me energji ndërtesën. Mbyllja e aeroportit pritet të zgjasë deri në mesnatë.

“Heathrow po përjeton një ndërprerje të konsiderueshme të energjisë. Për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve tanë, Heathrow do të qëndrojë i mbyllur deri në orën 23:59 të 21 marsit”, thuhet në një deklaratë në faqen e internetit të aeroportit të Londrës.

Shumë fluturime janë anulluar ose devijuar, ndërsa mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji dhe rreth 150 njerëz janë evakuuar nga pronat përreth.