14 Marsi është një festë kombëtare në Shqipëri, kur të gjithë shijojmë ballokumet, argëtohemi me fëmijët në natyrë, bëjmë piknik dhe kremtojmë festën pagane, e cila e ka origjinën që prej lashtësisë.
Dita e Verës shënon ditën e fillimit të vitit dhe kremtohej me shekuj më parë para lindjes së feve. Ajo festohej më 1 mars të kalendarit Julian, që përkon me 14 marsin e atij Gregorian dhe ndonëse konsiderohet si një traditë në qytetin e Elbasanit, festohet në të gjithë vendin, nga veriu në jug, sipas traditave të veçanta të krahinave.
Ne e festojmë sepse është një festë autentike dhe lidhet me gjallërimin e natyrës, si dhe simbolizon një vit të ri, të begatë.
Gjeneza e kësaj feste nis me faltoren e Zanës së Çermenikës, e ndërtuar pranë Elbasanit dhe njihet si perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Sipas miteve, Zana e Çermenikës dilte nga faltorja e saj veç më 14 mars.
Ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste është ballokumja.
Po ashtu, një detaj special i festës është verorja, e cila vendoset në kyçin e dorës dhe krijohet me ndërthurjen e peut të kuq dhe të bardhë. Verorja largohet nga kyçi kur ti sheh dallëndyshen e parë. Më pas, vendoset në një lule, ose pemë që dallëndyshja ta marrë dhe të të sjellë fat.