Celebrity

Zbulohet shkaku i vdekjes së Sinéad O’Connor

Shkruar nga Anabel

29 Korrik 2024

Zbulohet shkaku i vdekjes së Sinéad O’Connor

Gati një vit pas ndarjes nga jeta është zbuluar shkaku i vdekjes së këngëtares irlandeze Sinead O'Connor. Deri tani dihej fakti që artistja kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale, por gjithçka u zyrtarizua vetëm pak ditë më parë pasi certifikata e vdekjes u mor në dorëzim nga bashkëshorti i këngëtares, John Reynolds.

Sinead ka vdekur nga një kombinim i sëmundjeve pulmonare kronike dhe astmës, shkruan gazeta “Irish Independent”. Këngëtarja 56-vjeçare po luftonte edhe me një infeksion të traktit respirator në momentin e vdekjes së saj.

Shkaku i vdekjes u regjistrua zyrtarisht në Lambeth në Londër nga i shoqi i këngëtares.

Certifikata e vdekjes së artistes së "Nothing Compares 2 U" thekson se ajo vdiq nga "përkeqësimi i sëmundjes pulmonare obstruktive kronike dhe astma bronkiale, së bashku me infeksionin e traktit respirator".

Policia Metropolitane e Londrës mori një telefonatë në korrikun e vitit të kaluar, pasi O'Connor u gjend pa shenja jete në apartamentit e saj në Londër. Këngëtarja ndërroi jetë në korrik të vitit 2023, disa ditë pasi anuloi projektet e saj muzikore për t’u përqendruar në shëndetin e saj. O’Connor ishte në një gjendje të vështirë, pasi i biri i saj, Shane, u vetëvra në moshën 17-vjeçare.

Zbulohet shkaku i vdekjes së Sinéad O’Connor
FOTO: ZUMAPRESS.com

Shpesh e diskutuar për vokalin e saj fantastik, por edhe flokët e shkurtër apo pikëpamjet e hapura politike dhe fetare, Sinéad ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave botërore.

Ajo bëri bujë sidomos pasi u shfaq në një puntatë të "Saturday Night Live" të vitit 1992, në të cilën grisi një foto të Papa Gjon Pali II drejtpërdrejt në televizion, duke shkaktuar shumë debate në mbarë botën, ndërsa u bojkotua në disa koncerte dhe shfaqje artistike.

Albumi i fundit i O'Connor, “I'm Not Bossy, I'm The Boss”, u publikua në vitin 2014. Pasi u konvertua në fenë islame në vitin 2018, këngëtarja ndryshoi emrin e saj në Shuhada' Sadaqat, por vazhdoi të performojë me emrin e lindjes. Ajo publikoi një libër me kujtime, “Rememberings”, në vitin 2021.

Artikuj të sugjeruar: 

 

Burimi: New York Post