Bota

Suedia aprovon ligjin: Gjyshërit do të paguhen për kujdesin ndaj nipërve dhe mbesave

Shkruar nga Anabel

7 Korrik 2024

Suedia aprovon ligjin: Gjyshërit do të paguhen për kujdesin ndaj

Suedia ka aprovuar ligjin që lejon gjyshërit të marrin leje ‘prindërore’ kundrejt një pagese. Ata mund të kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre deri në 3 muaj/vit dhe të paguhen për kontributin e tyre në kujdesin dhe mirëqenien e fëmijës.

Ligji u aprovua në parlamentin suedez të hënën, pasi u propozua në dhjetor të vitit 2023. Sipas Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore suedeze, prindërit mund të transferojnë një pjesë të ndihmës së pushimit prindëror te gjyshërit dhe një çift mund të transferojë maksimumi 45 ditë në vit, ndërsa një prind beqar/e, një maksimum prej 90 ditësh.

Suedia, një vend me 10 milionë banorë, njihet për sistemin e mirëqenies sociale, i cili financohet nga taksapaguesit dhe prej brezash, ka ndërtuar një shoqëri ku qytetarët kujdesen për çdo etapë jetësore, që nga lindja e një personi e deri në moshimin dhe vdekjen e tij.

Në Suedi, ke të drejtë që të mos punosh kur të lindë fëmija dhe merr një përfitim prindëror, i cili paguhet për 480 ditë, ose rreth 16 muaj për fëmijë. Prej kësaj lejeje, kompensimi llogaritet për 390 ditë, në bazë të të ardhurave të prindit. Në 90 ditët e mbetura, prindërit marrin një shumë fikse prej 17 dollarësh/ditë.

Alexandra Wallin, pjesë e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, u shpreh se ligji i ri do të sjellë mundësi më të mira. Megjithëse rregullat për gjyshërit janë të njëjta si ato për ndihmën e zakonshme prindërore, kërkohet që ky person të jetë i siguruar për ndihmën prindërore, njëjtë si shumica e prindërve në vend.

Ky ligj është mirëpritur nga gjyshërit, të cilët duan të kujdesen për të vegjlit, por edhe të paguhen.

Suedia është një prej vendeve që ka sjellë risi fantastike në ligjet për prindërimin dhe jo vetëm. Në vitin 1974, vendi zëvendësoi lejen e lehonisë dhe mundësoi që të dy prindërit të merrnin leje. Sigurimi prindëror u garantoi prindërve mundësinë e marrjes së 6 muajve pushim nga puna.