Ikona e kinemasë, Sophia Loren, 89 vjeç, është shtruar në spital dhe ka kryer me urgjencë një ndërhyrje kirurgjikale, pasi rrëshqiti në shtëpinë e saj në Zvicër.

Një burim konfirmoi për Page Six se incidenti ndodhi në shtëpinë e saj në Gjenevë dhe se ajo pësoi fraktura të shumta në ijë dhe në kofshë. Për momentin, nuk ka më shumë informacione dhe pritet se si do të shkojë rikuperimi i saj.
Të dielën, llogaria zyrtare e linjës së restoranteve që ka në pronësi Loren ndau lajmin me ndjekësit, duke shkruar: “Sot, një rrëshqitje në shtëpinë e saj në Gjenevë, i shkaktori znj. Loren një frakturë në ijë. Ajo iu nënshtrua një operacioni të suksesshëm dhe do të mbahet nën vëzhgim për një periudhë të shkurtër kohore”, shprehte njoftimi, i shkruar në italisht, duke shtuar: “Fatmirësisht, çdo gjë shkoi mirë dhe Zonja do të kthehet te ne shumë shpejt. I gjithë stafi i ekipit të ‘Sophia Loren Restaurant’ përfiton nga rasti që t’i urojë shërim të shpejtë”.

Loren do të merrte pjesë në një event në Bari, Itali, por për shkak të incidentit, pjesëmarrja u anulua.