
Nëse nuk e dimë se çfarë është e shëndetshme, është e vështirë të identifikojmë se çfarë është e pashëndetshme.
Shumë prej nesh nuk janë të vetëdijshëm për atë që e bën një familje të shëndetshme - ose normale.
Këtu janë gjashtë karakteristika të zakonshme të familjeve të shëndetshme dhe pse jo, edhe të grupeve të ndryshme sociale:
1. Respektimi i kufijve të shëndetshëm emocionalë dhe fizikë: Fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes kanë privatësi, dhe të gjithë anëtarët duhet ta kuptojnë dhe e respektojnë këtë. Në familjet e shëndetshme, prindërit bëjnë pjesën më të madhe të punës emocionale me fëmijët e tyre duke modeluar ndjeshmërinë, vetëkontrollin dhe sjelljet e përshtatshme në përgjigje të emocioneve ose stresit. Roli i fëmijëve është të mësojnë.
2. Të shohësh çdo anëtar të familjes si një individ me një mendim: Çdokush lejohet të ketë një mendim dhe të gjithë anëtarët e familjes duhet të respektojnë dhe lejojnë që ato mendime të shprehen, edhe nëse të rriturit marrin vendimin përfundimtar. Në familjet ku ka pak vend për mendime të ndryshme, është e zakonshme që fëmijët të rriten duke mos e njohur veten. Kur ju mësojnë gjithmonë se si dhe çfarë të mendoni, është normale të mos dini se si ta bëni këtë për veten tuaj.
3. Vendosja e rregullave dhe pritshmërive të qëndrueshme, të drejta dhe të përshtatshme për moshën: Të gjitha familjet kanë rregulla dhe është normale që familje të ndryshme të kenë rregulla të ndryshme, por rregullat që nuk janë të qëndrueshme ose jo të përshtatshme për moshën krijojnë një mjedis konfuzioni dhe kaosi.
4. Plotësimi i nevojave të secilit person në mënyrë të përshtatshme: Të gjithë anëtarët janë të shqetësuar për shëndetin dhe mirëqenien e të tjerëve, por në një mënyrë të përshtatshme për moshën. Prindërit ofrojnë kujdes emocional për fëmijët; jo anasjelltas.
5. Të gjithë anëtarët e familjes ndihen të sigurt: Fëmijët në një familje të shëndetshme ndihen të sigurt për të mësuar, duke u rritur dhe duke bërë gabime. Ata kanë një kuptim të shëndoshë të gabimeve dhe e kuptojnë se ato nuk do të sfidojnë apo kërcënojnë sigurinë e tyre. Dashuria është e pakushtëzuar.
6. Të presësh gabime dhe t’i falësh ato në mënyrë të shëndetshme: Anëtarët e familjes e kuptojnë se ne të gjithë jemi njerëz që mësojmë dhe rritemi. Konflikti trajtohet në një mënyrë të përshtatshme dhe të sigurt, me të rriturit që modelojnë mënyra të përshtatshme për të menaxhuar mosmarrëveshjet. Këto familje eksplorojnë gabimet për t'i kuptuar dhe përmirësuar, në vend që të turpërojnë njerëzit për to. Fëmijët e kuptojnë se do të ndëshkohen për sjellje të papranueshme, por e dinë gjithashtu se do të falen për gabimet dhe nuk do t’u përmenden për vitet në vijim.
Merrni një moment. Mendoni për historinë tuaj familjare dhe shihni nëse mbani mend ndonjë nga karakteristikat e mësipërme. Shpesh, njerëzit që kanë përjetuar trauma familjare nuk do t'i kenë këto përvoja. Kjo listë thjesht mund t'ju japë një ide - nëse asnjëra prej tyre nuk ndodhi në shtëpinë tuaj, mund të jetë një shenjë se gjërat ishin disi të pashëndetshme.
Nëse mendoni se në familjen tuaj kanë ndodhur pjesa më e madhe prej 6 pikave, përveç ndonjërës, kjo s’do të thotë se familja nuk është e shëndetshme. Shumë gjëra varen edhe nga dinamikat individuale të familjes, si kultura, brezi dhe faktorë të tjerë.