Art & Libra

‘Jeta shpirtërore’, një roman që denoncon veset e pushtetit

Shkruar nga Anabel

23 Dhjetor 2022

‘Jeta shpirtërore’, një roman që denoncon veset e

“Jeta shpirtërore” (La vita interiore), një roman nga Alberto Moravia, është një roman që denoncon veset e një klase pushteti në dukje elitare, por krejtësisht e zvetënuar.

Romani zhvillohet si një intervistë e gjatë, ku një personazh i quajtur “Unë”, që mund të interpretohet si gazetar, psikolog, shkrimtar, interviston Dezideria, një vajzë të bukur, të re dhe të pamëshirmshme, duke e ngacmuar me pyetje në dukje të thjeshta mbi jetën e saj, por nga ana tjetër duke nxjerrë në pah rrënimin e vërtetë të vlerave shoqërore.

Vajza rrëfen historinë e jetës së saj që nga fëmijëria e hershme me një qartësi dhe sinqeritet, rebelimin e saj ndaj familjes, klasës dhe shoqërisë, së cilës i përket jo për shkak të lindjes.

“Ta akuzosh Moravian (i cili i ka idetë shumë të kthjellëta) për vuajerizëm do të thotë ta keqkuptosh profesionin e tij. Paralelizmi mes anormalitetit të shtratit dhe perversioneve të ndërgjegjes shoqërore e politike është më se i qartë,” shkruan The Guardian.

“Teksa rilexoj “Jeta shpirtërore”, të botuar së pari më 1978, më lind pyetja se a janë romanet e sotme në lartësinë e atyre të dikurshmeve. Gjendemi përpara një romani zbavitës, që flet për seksin në mënyrë zbavitëse. Gjë e rrallë,” thonë kritikët e New York Times.

‘Jeta shpirtërore’, një roman që denoncon veset e

Alberto Moravia konsiderohet një prej shkrimtarëve më të mëdhenj italianë të shekullit XX. Ndër të tjera ishte dramaturg, gazetar, skenarist dhe kritik i kinematografisë. Ai njihet si nismëtari i romanit borgjez, përmes të cilit, si mjeshtër i mprehtësisë, thjeshtësisë dhe elegancës stilistike, ka eksploruar pa fund temat e tëhuajzimit shoqëror, duke nxjerrë në pah hipokrizinë, materializmin dhe varfërinë morale të epokës së tij. Në këtë kuptim, puna e tij të shpie në forma realizmi të pasura me kthjelltësi racionale, krizën ekzistenciale të borgjezisë që ka përshkuar vitet e fashizmit dhe të pasluftës, duke gërshetuar vazhdimisht subjektivitetin me objektivitetin.

Romanet e tij shpesh janë ekranizuar nga regjisorë të njohur si Bernardo Bertoluci, Jean-Luc Godard, Vittorio De Siça, Luigi Zampa, Cedric Kahn etj.