Aksidenti i ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku një prej autobusave të kompanisë “Go Green” ka goditur një makinë - duke përfunduar në Lanë- ka tronditur qytetarët e kryeqytetit dhe jo vetëm.
Si pasojë e aksidentit përveç dëmeve materiale ka 5 të lënduar, të cilët po marrin aktualisht kujdesin e nevojshëm mjekësor në Spitalin e Traumës. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bashkë me kryebashkiakun ndodhen atje për të vizituar të lënduarit, të cilët shprehen se janë "të tronditur" nga gjithçka ndodhi. Fatmirësisht, gjendja e gjithë të plagosurve është e mirë.
Në spital ndodhen edhe shoferi i autobusit, faturino, i fashuar në kokë, si dhe drejtuesi i makinës tip Benz. Fillimisht u tha se aksidenti në afërsi të pallateve "Agimi" ndodhi për shkak të shpejtësisë së autobusit, por nga të dhënat e para thuhet se asnjëri prej shoferëve nuk ishte në gjendje të dehur.
"Është një aksident i pafat, ku kemi 5 të lënduar lehtë. Pjesa e dramës njerëzore mbaron këtu. Ajo që do na duhet është që të lejojmë policinë të kontrollojë të gjitha kamerat, të bëjë të gjitha matjet, të shohë të gjithë gjurmët e gomave dhe të kuptojmë se çfarë e shkaktoi aksidentin. Ajo që do t’ju kërkoja të gjithëve është që të mos bëjmë atë që bëjmë zakonisht, kur bëhemi ekspertë për gjithçka. Të lëmë profesionistët e policisë, te zjarrfikëses, dhe inxhinierët që do të merren me mënyrën sesi do të zhvendosen të dyja mjetet nga Lana. Kur të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën, këto të tjerat janë gjëja më e parëndësishme, do të gjejmë një mënyrë si t’i lëvizim”, u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, shefi i trafikut të Tiranës, Taulant Gjoka e quan ngjarjen e ndodhur si "aksident në dukje i rrezikshëm, por pa fatalitete". Sipas tij, nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo gabim njerëzor nga ana e drejtuesëve të mjeteve.