Babai i Lady Gaga-s, Joe Germanotta, ndjeu nevojën të mbështeste publikisht Donald Trump në garën për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një postim në Twitter të martën, ai shkroi “Donald Trump 2020”.
Më pas, shtoi se bindjet e tij politike dhe shpirtërore janë të ndryshme. Nuk qenë pak njerëzit që u habitën nga postimi i tij, një ditë pas komenteve të Trump për Lady Gaga-n.
Këngëtarja është mbështetëse e kundërshtarit të Trump, Joe Biden. Ajo iu bashkua Biden në Pittsburgh, Pennsylvania. Ndërkohë Trump në Avoca, Pennsylvania, tha:
“Tani ai ka marrë Lady Gaga-n. Lady Gaga nuk është shumë e mirë. Mund t’ju them shumë histori. Mund t’ju them shumë histori për Lady Gaga-n. Di shumë histori për Lady Gaga-n.”
Nuk dihet ende se çfarë raporti ka këngëtarja me të atin, por nuk përjashtohet mundësia e një marrëdhënieje jo fort të mirë. Kujtojmë këtu se në mars, njerëzit shpërthyen kundër Lady Gaga-s, fill sapo i ati, i cili kishte në pronësi një restorant në Nju Jork, kërkoi ndihmë në GoFundMe. “Jam duke bërë të pamundurën, por u desh ta mbyllja Joanne për këtë muaj. Stafi ynë ka nevojë për ndihmë finaciare, kështu që çdo ndihmë për ne vlen,” shkroi ai në një postim në Twitter të cilin e fshiu më vonë.
“Lady Gaga, paguaj stafin e babait. Është e neveritshme që u desh të kërkonte ndihmën e të tjerëve,” shkroi asokohe dikush. “Jam e shokuar pasi Joe Germanotta po kërkon ndihmë financiare, ndërkohë që vajza e tij ka pasuri prej 300 milionë dollarë,” ishte një tjetër koment, ndër shumë të tjerë.
Një burim pranë këngëtares tha për Page Six se Lady Gaga u ndje e turpëruar. “Ajo nuk e kishte fare idenë që ai e bëri këtë gjë. Ajo dhe mamaja e saj, Cynthia, nuk do ta lejonin kurrë. Ishte një veprim i shpejtë, impulsiv,” tha burimi.