Shqipëria

Mish ariu në menu: Flet pronari i restorantit shqiptar, pas artikullit të medias së huaj

Shkruar nga Anabel

17 Qershor 2020

Mish ariu në menu: Flet pronari i restorantit shqiptar, pas artikullit
Photo Courtesy: Four Paws

Në një artikull të The Independent, shkruhet se “një restorant në Shqipëri po servir vakte me mish ariu nga gjuetia e paligjshme”. The Independent i referohet një vëzhgimi të bërë nga Four Paws – organizatë globale për mirëqenien e kafshëve me bazë në Austri – studiuesit e të cilës thonë se konsumimi i mishit të ariut mund të shkaktojë edhe sëmundje, marrë shkas edhe nga shembulli koronavirusit. Megjithatë çfarë e bën vërtet problematike situatën është abuzimi me kafshët.

Në artikull shkruhet se “Four Paws ka zbuluar faqe interneti në Shqipëri ku shiten arinj dhe specie të tjera që duhet të mbrohen nga ligji”. Në grupin e specieve që shiten online janë dhelpra, bufat dhe ujqërit.

Ndër të tjera shkruhet se blerësit kryesorë të kafshëve janë pronarë hotelesh dhe restorantesh, të cilët i përdorin për të tërhequr turistë. “Shqiponjat, simboli kombëtar i Shqipërisë, shiten gjithashtu,” shkruhet në artikull, ku gjithashtu theksohet se gjuetia e këtyre kafshëve është e ndaluar, por ligji nuk respektohet.

Sipas vëzhgimeve, majmunët dhe zogjtë shiten për t’u mbajtur në bare dhe restorante, dhelprat shiten për gëzofin, ndërsa ujqërit për t’i shartuar me qen. The Independent përmendet edhe restorantin “Egnis” në Drilon, Pogradec. Në menu, serviret mish ariu, lepur i egër, mish kaprolli, rosë e egër etj.

Mish ariu në menu: Flet pronari i restorantit shqiptar, pas artikullit
Photo Courtesy: Four Paws

Një zëdhënës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri tha për The Independent: “Ajo çfarë është veçanërisht alarmante për këtë është fakti që jo vetëm që shitet mish ariu, por vendoset në kllapa edhe ‘në sezon’, që të krijon përshtypjen se ka një sezon gjuetie për arinjtë."

Në një prononcim për Report Tv, pronari i restorantit, Pandi Çekiçi, u shpreh:

"Jam njohur me lajmin. Nuk është e vërtetë, kur të doni, si të doni, paraqituni në lokal, kontrollojeni lokalin dhe shikojeni. Ajo nuk është menuja ime, mish ariu jo, nuk flitet, nuk bën vaki. Kafshë të egra jo, nuk kam fare, ka 10 vjet, që ka qenë e imja, vetëm rosë e egër, lepuri i egër. Kanë qenë para 10 viteve. [Tani] është bllokuar, nuk kam shitur asnjë gram që kur doli kjo e bllokimit të kafshëve të egra. Mish ariu jo, nuk bën vaki, absolutisht. E jap me përgjegjësi të madhe këtë,” tha ai (via Shqiptarja.com).

Po të njëjtën gjë Çekiçi theksoi edhe në “Ftesë në pesë”. Gjatë bisedës, moderatorja Bieta Sulo u shpreh se gjatë komunikimit me gazetarët, Çekiçi u ka thënë se “nuk e ka më”, pra e ka pasur më parë. Ai tha se “në menu ka qenë lepuri i egër, derri i egër dhe rosa e egër para 10 vjetëve”.

Pavarësisht se çështja po përqëndrohet me të drejtë te servirja e mishit të ariut dhe shfrytëzimi i tyre si "atraksion turistik", duhet thënë se në menu janë përfshirë edhe kafshë të tjera të egra. Në Shqipëri ekziston një moratorium që ndalon gjuetinë në të gjithë vendin. (Moratorium, ndërprerje e përkohshme e një veprimi, e një pune a e një veprimtarie; shtyrje për një kohë të caktuar). Moratoriumi u vendos për herë të parë në vitin 2014 dhe zgjati deri në 2016-n. Në 2016-n u vendos sërish deri në mars të vitit 2021.

Përditësim: Përfaqësues të restorant “Egnis” thanë për Anabel.al se ka patur një gabim nga faqja e internetit që funksionon si guidë, “Restorantet Shqiptare”, e cila është përpjekur të kontaktojnë me The Independent për të sqaruar gabimin. Anabel.al disponon edhe një kopje të email-it të dërguar nga Restorantet Shqiptare për The Independent.