Shqipëria

Emigrantja shqiptare: ‘Masat e Shqipërisë janë absurde. Ja çfarë ndodhi në Itali’

Shkruar nga Anabel

2 Maj 2020

Emigrantja shqiptare: ‘Masat e Shqipërisë janë absurde. Ja
Photo Courtesy/VectorStock

Shënim: Informacioni në vijim është shkruar nga një ndjekëse e Revista Anabel në Facebook, edituar nga redaksia; brenda artikullit gjeni edhe referencat përkatëse.

“Përshëndetje Anabel! Dua t’ju shkruaj edhe unë duke marrë shkas nga shkrimi i mëposhtëm dhe mbi të gjitha nga komentet e çuditshme. Shumë komentues thonë që edhe shtete të tjera kanë bërë njësoj, por nuk është e vërtetë. Unë do t’ju tregoj për situatën sesi Italia e menaxhoi në të vërtetë (duke lënë mënjanë ato që ofrohen në media) dhe duke marrë parasysh se është një nga vendet e para në botë për numrin e të infektuarve e të vdekjeve.”

Shën.red. Emigrantja, e cila preferoi të mbetej anonime, i referohet letrës së shkruar nga një ndjekëse për Revista Anabel në Facebook e cila shprehet se masat e marra nga qeveria nuk janë të duhurat dhe “nuk duhet të mbahet peng e gjithë popullsia dhe ekonomia e vendit për 30 të sëmurë”.

“Është e vërtetë që deri diku Italia i mbylli të gjitha, por nuk la të ‘vdiste’ për bukë popullin e vet dhe ja si veproi:

1. Familjeve me punonjës të varur nga kompanitë e ndryshme iu dha minimumi 600-900 euro në muaj (këtu flas nga eksperienca e miqve të mi dhe asnjë nuk e mohon dot) kur në punë këto familje marrin vetëm 1200 euro. Këtyre familjeve iu shtuan edhe ndihma të ndryshme nga komuna, siç janë bonuset ushqimore 150 euro në varësi të numrit të pjesëtarëve të familjes.

2. Edhe kur ndërronin jetë 700, 800 e 900 persona në ditë, askush nuk vendosi orare absurde për marrjen e ushqimeve, pikërisht për të evituar dyndjen në supermarkete.

3. Nuk u vu në dispozicion asnjë portal me vështirësi për të marrë leje për të dalë, por u mjaftua me një vërtetim që mund ta shkarkoje dhe plotësoje shumë lehtë.

4. Të vetmit që patën goditjen më të madhe ishin dhe janë sipërmarrësit, por që ata në teori nuk duhet të hyjnë te pjesa e popullsisë që ‘vdes’ për bukë, pavarësisht se edhe për ata pati goxha lehtësira, duke evituar pagesën e taksave (që është një problem goxha i madh) dhe u dhanë edhe disa bonuse, por që normal janë mospërfillëse për një sipërmarrës. Megjithëse të flasësh për sipërmarrësit është një temë tjetër, sepse ata nuk u dënuan nga vendimet e qeverisë, por nga pandemia, që është problem në të gjithë botën, jo vetëm në Itali.

5. Këtu asnjë nuk bëri show me një kilogram makarona, oriz e sheqer. Kush kishte vërtet nevojë shkonte e i merrte direkt te Caritas, që është pikërisht për t’u dhënë ushqime më të varfërve.

6. Nuk pati orare të çuditshme daljeje pikërisht për të evituar grumbullimet aq të dëmshme.

7. Doja të shpjegoja pak edhe vendimin absurd për mospagesën e qirasë. Unë e kuptoj vështirësinë e familjeve për të paguar qiranë, por për sa kohë qiraja është private, i bie që shteti më heq mua të ardhurat (ose më saktë ushqimin e fëmijës tim) vetëm sepse unë kam një pronë më shumë. Shumë familje ndajnë shtëpinë e tyre në mini-apartamente për t’i dhënë me qira, sepse me ato ushqehen. Atëherë me ç’të drejtë hiqen të ardhurat e mia, sepse shteti nuk ka fuqi të mbajë njerëzit me bukë? Këtu në Itali askush nuk diskutoi pagesën e qirave për aq kohë sa janë private.

8. Dua të tregoj pak edhe për izolimet që i bëhej dikujt që rezultonte pozitiv. Nëse ishte nevoja për t’u shtruar nëpër spitale, e dërgonin në spital, kurse në rastet që nuk ishte e nevojshme për ta dërguar në spital, por që rezultonte pozitiv vetëm një person nga familja dhe të tjerët jo, atëherë i dërgonin në hotele (të gjitha të paguara nga shteti) për t’u karantinuar derisa nuk rezultonte më pozitiv. Në këtë mënyrë evitohej edhe infektimi i pjesëtarëve të tjerë të familjes. Edhe për këtë flas nga eksperienca.

9. Do ndalem pak edhe te kthimi në Itali i qytetarëve italianë të mbetur nëpër Europë. I vetmi aeroport në funksion ishte ai i Romës, por në momentin e hyrjes në Itali, mjaftonte plotësimi i disa formularëve se ku do të bëje karantinim. E rëndësishme është vetëm karantinimi për 2 javë si për personat e ardhur edhe për pjesëtarët e tjerë që jetonin në shtëpi. Askush nuk të detyron të shkosh nëpër hotele apo të paguash me shpenzimet e tua. Këtu flas për motrën që sapo është kthyer nga Anglia.

E di që shumë prej jush do thonë që kur masat e Italisë ishin kaq të mira, pse pati aq shumë të infektuar dhe të vdekur? Po e sqaroj edhe këtë pjesë.

Në Itali u krijua kjo situatë sepse Italia gaboi në fillim, sepse kur dolën rastet e para pozitive, italianët i kishe akoma duke ngrënë sushi apo duke dalë fundjavave në grupe. Për të mos folur që shumë prej tyre u kthyen nga veriu (Lombardia) në jug të Italisë, a thua se virusi i zinte vetëm në Itali. Siç bënë shumë shqiptarë që u kthyen nga Italia për në Shqipëri (gafa më e madhe). Të mos harrojmë që Italia ishte vendi i fundit që mbylli kufirin me Kinën, kur virusi xhironte në Kinë dhe mbi të gjitha shumë kinezë u kthyen në janar për vitin e ri kinez. Doja të shtoja edhe për faktorët klimatikë të Lombardisë që shkaktojnë shumë sëmundje pulmonare dhe të mos harrojmë numrin e lartë të moshës së tretë. Nuk jam gazetare dhe as specialiste, por kjo është ajo çfarë kam parë e kam jetuar këto dy muajt e pandemisë në Itali.”

Shënim: Rrethimi nga Alpet bën të mundur krijimin e një mikroklime në këtë rajon. Ndotja industriale nuk arrin dot të tejkalojë Alpet duke u kthyer sërish mbrapsht dhe duke qëndruar pezull. Për hëtë arsye, historikisht Lombardia ka regjistruar përqindjen më të lartë të sëmundjeve respiratore në Europë. Për më shumë detaje për këtë çështje dhe informacione të tjera, jo fort të përmendura nëpër media, lexoni artikullin "Të lodhur nga lajmet e frikshme? 13 gjëra që askush nuk jua thotë për Covid-19".