Si shenjë homazhi për ndarjen nga jeta të një prej ikonave të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja, po sjellim në vijim disa pjesëza nga intervistat e tij të rralla, një formë kjo për të rikujtuar edhe një herë veprën që la pas mjeshtri i filmit, i cili u përcoll në një ceremoni modeste me pak miq dhe familjarë, nisur nga masat mbrojtëse për mospërhapjen e Covid-19.
Në një intervistë të viteve më parë, të dhënë për gazetarin Dashnor Kaloçi (via Memorie.al), Ljarja përshkroi nisjen e karrierës në kinematografi.
“Me artin unë jam marrë që në moshën 6-vjeçare, kur dy prindërit e mi, me mendimin për të më dhënë një kulturë të përgjithshme, më kishin futur në rrethet muzikore për piano. Por edhe pse studiova për shumë vite në muzikë, madje duke qenë një muzikant jo i keq, duke arritur deri në orkestrën simfonike të Prenk Jakovës, si fagotist, kur mbarova gjimnazin më 1960 më doli e drejta e studimit për Matematikë-Fizikë. Natyrisht këtë gjë nuk e pranova, pasi ëndrra ime ishte që të bëhesha aktor.
Ndër të tjera ai foli edhe për rolin e parë në kinematografi, atë te “Komisari i Dritës”.
“Roli im i parë është mësuesi Dritan Shkaba te filmi artistik “Komisari i Dritës”, film që pati shumë sukses, pasi iu bë jehonë e madhe nga shtypi dhe m’u hap rruga për më tej. Atë rol e fitova me kinoprovë, mes 15 konkurruesve, ku ndër ta kujtoj Guljelm Radojën, Viktor Zhustin e Mark Topollajn. Përveç atij roli, unë ndihmova rastësisht edhe për rolin e priftit, pasi mungonte i madhi Ndrek Luca. Por kur i pa ministri Fadil Paçrami, pëlqeu më shumë atë të mësuesit, duke thënë: ‘Ky bëka për komisar’.”
Përsa i përket largimit nga Kinostudio, Ljarja u shpreh se përfundimisht u largua në vitet 1990.
“De jure nga Kinostudio jam larguar më ’96, kur shkëputa marrëdhëniet financiare që andej, por de facto ajo gjë kishte ndodhur që më 1990, kur Kinostudio nuk kishte më mundësi financiare të bënte filma. Nisur nga ky fakt, largimi im nga bota e flimit erdhi disi i butë, pasi nga aty fillova detyrën si Drejtor Artistik në TV Shqiptar.”
Në vijim të intervistës, aktori tha se nëse do të thërritej për ndonjë rol, do të mendohej gjerë e gjatë. “Varet nga nga roli, nga regjisori dhe nga teatri, sepse sot unë nuk kam më kohë të vrapoj pas një grushti parash dhe të turpërohem,” tha ai.
Në një tjetër intervistë të dhënë në 2012-s për Skënder Minxhozin, aktori trajtoi krizën e filmit.
“Filmi tani është vërtet një industri. Keni dëgjuar, për shembull, lajmet e Zërit të Amerikës? Një herë në javë aty ka një rubrikë enkas për Hollivudin. Nuk kam dëgjuar asnjëherë të bëjë vlerësime artistike, aty flitet vetëm për fitimet që nxjerr kjo industri. Ky film mori këtë javë kaq milionë dollarë, ky tjetri mori kaq fitime nga shfaqja në sallat e kinemave. Pra filmi është biznes dhe privilegj i shteteve të industrializuara. Megjithatë, ka individë në botë që me një buxhet fare të vogël, bëjnë filma të mëdhenj. Mendoj që kjo e dyta vlen për ne. Por, thashethemet mes njerëzve të filmit, thonë se këto buxhete modeste ndahen me miq e të afërm, pavarësisht a bëjnë a s’bëjnë për këtë punë. Prandaj edhe filmat janë ata që janë, dhe do të vazhdojnë të jenë të tillë, për fat të keq.”
Në intervistën e parë, Ljarja u shpreh se kur nuk shkruante skenarë, shkonte në Shkodër, në shtëpinë e tij.
“Shkoj në Shkodër, tek shtëpia ime, dhe mbjell qepë, hudra, tulipanë, trëndafilë etj. Në kopshtin tim punoj nga katër-pesë orë, pasi më merr malli të shkel në tokë zbathur.”
Sigurisht që u ndal pak edhe te një nga rolet e tij më të njohur, Deda te “Rrugë të bardha”.
“Njerëzit sot më pyesin, akoma në shtyllë ti?”