Një hulumtim i detajuar në Norvegji shtron një sërë pyetjesh në lidhje me mënyrat e caktuara që aplikacionet e njohjeve përdorin për të shkelur privatësinë e përdoruesve në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.
Aplikacionet e njohjeve si Grindr, OkCupid dhe Tinder, referuar një studimi të bërë nga Këshilli Norvegjez i Konsumatorëve, rezulton se shpërdorojnë të dhënat për t’ua shpërndarë ato kompanive të ndryshme për fitime marketingu pa dijeninë e përdoruesve.
Grindr, aplikacioni më i popullarizuar në botë përsa i përket njohjeve të personave gay, transmetoi të gjitha të dhënat e përdoruesve në lidhje me orientimin seksual te kompani të ndryshme.
Hulumtuesit norvegjezë theksojnë se situata është jashtë kontrollit dhe konsumatorët po shfrytëzohen. Në raportin e tyre, të titulluar “Jashtë kontrollit: Si konsumatorët shfrytëzohen nga industria e reklamimit në internet”, shkruhet se të dhënat u jepen bizneseve, gjë që është e ndaluar.
Rregullatorët në Bashkimin Europian po nxisin zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave, që i ndalon kompanitë të mbledhin informacionet personale mbi fenë, përkatësinë etnike, orientimin seksual, jetën seksuale dhe tema të tjera të ndjeshme pa pëlqimin e personit.
Burimi: New York Times