TV Mania

E paparashikuar: Amarda Toska, Ermal Mamaqi dhe Bes Kallaku rikthehen në ‘Portokalli’

Shkruar nga Anabel

20 Dhjetor 2019

E paparashikuar: Amarda Toska, Ermal Mamaqi dhe Bes Kallaku rikthehen në

Regjisori i “Portokalli”, Altin Basha, është përpjekur që të bëjë bashkë një pjesë të personazheve të larguar nga spektakli i humorit, me rastin e ndërrimit të viteve. “Sweet Home” do të jetë emri i “Portokallisë” këtë vit, konceptuar nga fakti se jo pak personazhe janë rikthyer në atë që e quajnë familje e madhe.

“Natën e ndërrimit të viteve e kemi konceptuar si një rikthim në shtëpi, si një rikthim në shtëpi i të gjithë atyre që nuk janë më në emision për arsyet e veta. Flas për aktorët e një niveli shumë të lartë, të cilët kanë krijuar eksperienca fantastike,” u shpreh regjisori.

Emrat që iu përgjigjën pozitivisht ftesës së Bashës për të qenë pjesë e programit të humorit më 31 dhjetor janë: Amarda Toska, Ermal Mamaqi, Bes Kallaku, Erion Isai, Eneda Tarifa, Rina Narazani, Genci Mirzo, Kreshnik Ibrahimi etj.

“Është gjithmonë një kënaqësi që të jesh në shtëpinë e vjetër, ose më saktë në vendin ku lindëm si artistë,” u shpreh Mamaqi në një intervistë për Top Channel. Ami theksoi se “i duket vetja si në shtëpi”, ndërsa Bes Kallaku tha se “i duket sikur nuk ka ikur kurrë nga Portokallia”.