TV Mania

Eneda Tarifa flet për momentin e fitores, kur brohoritej emri i Fifit

Shkruar nga Anabel

18 Dhjetor 2019

Eneda Tarifa flet për momentin e fitores, kur brohoritej emri i Fifit

Ndoshta kujtesa luan lojëra me ne, por na duket sikur ky edicion i “Këngës Magjike” është më i diskutuari. Sidomos fitorja e Eneda Tarifës që nuk po resht s’u analizuari. Për herë të parë pas festivalit, e ftuar në “Tempora,” këngëtarja foli haptazi në lidhje me këngën dhe fitoren.

“Unë mendoj që edhe sikur të mos kisha asgjë në skenë, as balerinë, as kontekstin e caktuar që iu përshtat këngës, mendoj që kënga ime ishte një këngë e mrekullueshme dhe unë kam bërë të pamundurën dhe kam një arritje personale në një sfidë në këtë këngë për ta sjellë ndryshe për ta kënduar jashtë formës që Eneda këndon në përgjithësi. Mendoj që kjo këngë kishte distancë nga disa këngë të tjera të bukura të ‘Këngës Magjike,’” thotë ajo. “Mendoj se do ia kishte dalë gjithsesi edhe pa kontekstin që mori pas tërmetit.”

Çfarë konsiderohej një këngë romantike, u kthye në një këngë frymëzuese për Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit. Teksti mund të perceptohej fare mirë si një thirrje për solidaritet dhe ndihmë, që shkonte përshtat me misionin e festivalit për t’i ndërtuar shtëpinë një familjeje të prekur.

Edhe pse “Ma zgjat dorën” ishte një nga pretendentët që në fillim të festivalit, një tufë njerëzish të pranishëm në sallë natën finale shprehën me zë mosdakordësinë dhe filluan të brohorisnin emrin e Fifit, që u rendit në vend të dytë.

“Ishin një grup të rinjsh të stacionuar në një vend të caktuar. Kjo është tifozëri. Ndërsa për sa i përket zhurmave që janë shkaktuar midis këngëtarëve të tjerë, unë di të them që çmimet i kam dhe kupat i kam. Në fund të fundit, janë dekor në shtëpinë time. Kënga është ajo që mbetet gjithsesi, me kupë apo pa kupë. Kjo më lumturon,” tha Eneda.