High Tech

Jepuni lamtumirën buzëve të fryra dhe mollëzave të ngritura që ju falin filtrat e Instagramit

Shkruar nga Anabel

24 Tetor 2019

Jepuni lamtumirën buzëve të fryra dhe mollëzave të

Instagram do të heqë nga platforma gjithë filtrat që promovojnë kirurgjinë plastike, pasi përdoruesit janë të shqetësuar se dëmtojnë shëndetin mendor të njerëzve.

Efektet që i bëjnë njerëzit të duken sikur kanë fryrë buzët, kanë injektuar fillera apo i janë nënshtruar një tërheqjeje fytyrë do të jenë disa nga filtrat që do të ndalohen.

Një sërë studimesh kanë zbuluar se këta filtra që ndryshojnë fytyrën i bëjnë përdoruesit të ndihen keq për mënyrën si duken. Instagram tha se ndalimi i këtyre filtrave promovon mirëqenien.

“Po rivlerësojmë politikat tona – duam që filtrat të jenë një përvojë pozitive për njerëzit,” tha një zëdhënës. “Teksa rivlerësojmë politikat tona, do të heqim gjithë filtrat që i përngjajnë kirurgjisë plastike, do të ndalojmë aprovimin e filtrave të tillë në të ardhmen dhe do të eleminojmë filtra të rinj që i kanë shpëtuar procesit në momentin e parë që raportohen.”

Në gusht, një përditësim i Instagramit iu dha përdoruesve të drejtën për të krijuar filtrat e tyre që aplikohen mbi foto dhe video. Disa nga këta filtra, si Plastica, imitonin rezultatet e operacioneve plastike.

Një tjetër, i titulluar FixMe, tregonte si e shënjon fytyrën e një pacienti kirurgu plastik para operacionit.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by DANIEL MOONEY (@danielmooney) on

Krijuesi i këtij filtri, Daniel Mooney, tha për BBC: “FixMe supozohet të ishte një kritikë e operacioneve plastike, pasi tregon sa i pahijshëm është si proces, me shenja dhe nxirje. Nuk synoja të krijoja një imazh perfekt, si mund ta shihni në rezultatin përfundimtar. Perfeksioni është i mbivlerësuar.

“E kuptoj qëllimin e Instagramit, por për sa kohë njerëzit më të ndjekur në Instagram janë ‘përmirësuar’ rëndshëm nga operacionet plastike, heqja e filtrave që imitojnë efektet s’ka për të bërë ndonjë ndryshim madhor.”

Instagram nuk e di sa kohë do të duhet për të hequr gjithë filtrat nga platforma, por shumë përdorues e duartrokitën iniciativën.

Burimi: BBC