Sot në mbrëmje, në orën 21:00, si zakonisht në Top Channel do të transmetohet puntata e dytë e sezonit të tretë të “Shiko kush luan”, me autore dhe moderatore Luana Vjollcën. Në po të njëjtën orë, në Tv Klan do të transmetohet premiera e “Klanifornia”, një spektakël me producent Turjan Hyskën dhe moderatore Marina Vjollcën.
Me gjithë ç’dihet deri tani, “Klanifornia” do të jetë një format i ndryshuar i “Duplex”, ku pjesë e programit do të jenë edhe aktorë të tjerë, duke përfshirë ndër të tjera këngë, balet dhe jo vetëm.
Fati e deshi që këtë sezon televiziv, Luana Vjollca, e cila më parë ka pasur si konkurrent “Xing me Ermalin”, të përballet me të motrën, Marinën.
Ato i kanë uruar vazhdimisht suksese njëra-tjetrës dhe të pyetura nga fansat, kanë thënë “një sy te Marina dhe një te Luana”.
Këtë puntatë, kurioziteti premton më shumë shikueshmëri te “Klanifornia”, por mbetet të presim. Sondazhet i lëmë për më vonë.