Më shumë se dy vite më parë, një grua nga Atlanta shkoi në spital me dhimbje koke, probleme me kujtesën dhe komunikimin. Nicole Gordon dyshonte se fajin për simptomat e kishte një aksident me makinë, të cilin e pësoi një muaj më parë. Por në fakt, fajin e kishte një plumb që doktorët gjetën në bazën e kafkës së gruas. Mesa duket, i dashuri e kishte qëlluar me armë zjarri dhe ajo s’ia kishte idenë.
Sipas autoriteteve, Nicole e solli në spital një shoqe, në qershor të 2017-s. Pasi mësoi se kishte një plumb në kokë, ajo u tha hetuesve se një muaj më parë, ishte zënë keqazi me të dashurin e saj asokohe, Jerrontae Cain. Tha se ishin duke u zënë në makinë, kur dritarja nga ana e pasagjerit u bë copë e çikë. Nicole humbi ndjenjat dhe kur u zgjua, e gjeti veten në makinën e Cain. Më pas, u zgjua sërish në shtëpinë e nënës së Cain, me një plagë në kokë që mendonte se ia kishte shkaktuar xhami i thyer i dritares.
Këtë e la Cain të kuptonte të paktën. Ai i tha të njëjtën histori policisë. Sipas tij, Gordon përplasi makinën në një pemë, por sipas prokurorëve, provat në skenën e krimit nuk e mbështesnin këtë histori. Hetuesit dolën në përfundimin se dikush kishte qëlluar Gordon dhe kërkuan arrestimin e Cain. Ai iu shmang autoriteteve për një vit e gjysmë, deri kur FBI-ja e gjeti në janar dhe arrestoi pas një shkëmbimi zjarri dy orësh.
Të enjten, Cain u dënua me 25 vite heqje lirie dhe pesë vite lirim me kusht për katër akuza. Cain ishte arrestuar 13 herë më parë dhe ishte dënuar për sulm seksual në 2010-n. Ai tregohej abuziv edhe me Gordon. Për më tepër, nuk e çoi në spital pas incidentit. Tani, mjekët thonë se s’mund ta heqin plumbin nga koka e Gordon, sepse mund të humbasë jetën.
Burimi: Washington Post