Pak minuta pas lëkundjes së fortë nga tërmeti me intensitet 7.5 ballë, revista muzikore Rolling Stones Italia shkroi në Twitter një postim, ku në dukje viheshin re notat raciste kundrejt shqiptarëve.
“Tërmeti mbërrin në Itali nga Shqipëria. E shihni çfarë ndodh kur mbani portet hapur? Përveçse pabuksa, bënë të dridhen gjysma e shtëpive në Puglia.”
Postimi u fshi disa minuta më pas. Sipas Dirreta News në Itali, postimi kundrejt komunitetit shqiptar, një ndër më të rëndësishmit në Itali, u kritikua nga njerëzit. “E kuptoni sa qesharakë jeni?” shkruante dikush. “Nuk dihet nëse ka lëndime ose viktima, por po shoh që ka njerëz që bëjnë shaka të tilla raciste,” lexohej në një tjetër koment.
Megjithatë, të shumtë qenë njerëzit që vunë në dukje se në fakt nuk bëhet fjalë për një postim racist kundrejt shqiptarëve, por ironi për politikën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Brenshëm Matteo Salvini, që qëndroi në detyrë në periudhën 1 qershor 2018 – 5 shtator 2019.
Salvini ka mbajur një qëndrim dhe politikë strikte kundrejt emigrantëve duke u shprehur se nga portet e hapura (ku bëhet fjalë për klandestinët) vendit i vjen vetëm e keqja. Të njëjtin qëndrim, Salvini ka pasur edhe ndaj emigrantëve shqiptarë, që në disa deklarata i ka quajtur “kriminelë”, ndonëse më pas ka sqaruar se “është abuzuar me përgjithësimin”, sepse i referohej vetëm personave të përfshirë në veprimtari kriminale.
Politika e tij u kritikua ashpër edhe nga organet e Bashkimit Europian, që vunë në dukje se “asnjë emigrant nuk mund të dëbohet nëse i rrezikohet liria dhe jeta në vendin e origjinës”.
Deri tani, Rolling Stones Italia nuk ka reaguar në lidhje me postimin në fjalë.