Sizmologu Rrapo Osmëni nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit u shpreh për mediat se pas goditjes së fuqishme pasditen e djeshme, janë regjistruar 297 goditje të tjera. Nga ora 12 pas mesnatës, janë regjistruar 87 goditje, por me magnituta të vogla.

“Themi se goditja kryesore ka kaluar,” u shpreh Osmëni, “goditje pas goditje do të kemi, por nuk do të jenë të rrezikshme.” Sizmologu theksoi se goditjet pas tërmeteve të fuqishme vazhdojnë për ditë dhe javë të tëra, por në rënie. “Madhësia e tyre vjen duke u zvogëluar.”
Pasojat e tërmeteve për fat të mirë nuk kanë shkaktuar viktima, ndonëse numri i të plagosurve është rritur ndjeshëm. Në total, thuhet se janë trajtuar 105 qytetarë me fraktura dhe dëmtime. Në spitalin e Traumës në kryeqytet 7 persona ndodhen ende nën mbikëqyrjen e mjekëve, ndërkohë 3 paraqiten në gjendje serioze.
Duke qenë se epiqendra e tërmetit ishte Deti Adriatik, shumë afër qytetit të Durrësit, banorët kanë braktisur shtëpitë dhe një pjesë e ka kaluar natën jashtë, në stadiumin e qytetit ose në çadrat e vendosura nga bashkia.
Tërmeti i fundit në Tiranë dhe Durrës u ndje në orën 9 të mëngjesit, me magnitutë 3.5.
Burimi: Tv Klan, BalkanWeb dhe Top Channel