Në “The Dalina Show” nga Andale Media, u hap një dritare si rrallëherë mbi një temë të errët e shpesh të mbuluar me heshtje: xhelozia patologjike. Gratë, vajzat dhe një djalë kësaj here ndanë përmes rrëfimeve të tyre në anonimitet përvojat me dhunën, kontrollin ekstrem, dhe plagët që lë një dashuri që nuk është dashuri.
Kur isha 18 vjeç, isha në një lidhje me një djalë 25 vjeç. Zgjati vetëm 9 muaj, por më ndikoi shumë më gjatë. Pas ndarjes, ai filloi të më përndiqte. Në fakt, shenjat i kishte dhënë që në fillim. Edhe kur uleshim me shokët e tij, ai bëhej xheloz. I dukej sikur i shikoja më shumë seç duhej, flisja më shumë seç duhej. 3 muajt e fundit të lidhjes ai ndjente që po humbiste kontrollin mbi mua.
Në fillim më dukeshin gjeste burrërore. Fjalët e tij kishin shumë peshë tek unë. Më dukej sikur kisha një mashkull në krah që më përfaqësonte, më dukej gjë shumë e bukur. Por pastaj nisi të më ruante me aplikacione GPS, më përndiqte, më kontrollonte vendndodhjen. Nëse e mbyllja GPS-in, mendonte se po bëja ndonjë gjë fshehtas.
Nuk pyeste për të shkuarën time, e vriste vetëm mendimi se kisha pasur dikë tjetër para tij. Nuk i pëlqente të dëgjonte për përvojat e mia. Ishte shumë e vështirë të ndahesha. Përndjekja e tij nisi që gjatë lidhjes. Kur i thashë që nuk dua të jem më me të, refuzonte të ikte. Rrinte poshtë pallatit dhe qante. Dëgjonte në derë për të kuptuar çfarë bëja. Bëhej agresiv kur i thosha të ikte. Më thoshte gjëra të dëshpëruara: “Pse s’lufton ti për dashurinë tonë?”. Ishte një ndjesi midis bezdisjes dhe traumës që më la me muaj pas përfundimit të marrëdhënies. Krijova një neveri të madhe për atë lidhje.
Më shkruante vazhdimisht në çdo rrjet social. Kishte një marrëdhënie shumë të ftohtë me familjen. Nuk ia shprehnin asnjëherë dashurinë njeri-tjetrit. Nuk e përqafonte mamanë e vet, thoshte që ndjente siklet.
Jetonim në të njëjtin qytet, por nuk rastisëm më me njëri-tjetrin. Kur ndodhi pas 6-7 muajsh, u përpoq të më fliste mirë, butë. U detyrova të përfshij të dashurin tim të asaj kohe që t’i thoshte të mos më fliste më. E urrej tani kur e dëgjoj nga të tjerët që u duken të bukura gjestet e xhelozisë.
2. “Daniela”
Historia ime nisi kur isha 15 vjeç. Ai ishte 17. Fillimet ishin normale. Ai sillej shumë mirë. Flisnim në Facebook. Por kur fillova gjimnazin, filloi të më shoqëronte përditë, dhe kjo që në fillim më dukej e bukur… u bë mbytëse. Nuk mund të shikoja apo përshëndesja një djalë në rrugë, sepse u kthehej me dhunë.
Shoqet e shihnin si “Romeo”. Kam humbur shumë njerëz, shoqe… nuk u vë faj. Ishin vajza të vogla. Ai plagosi dikë rëndë me thikë dhe përfundoi në burg. U ndamë, por u rilidhëm. Mendoj se nga frika. Ditën që doli nga burgu, erdhi poshtë pallatit, më kërcënonte me motrat, me babin, me mamin.
Pas burgut ishte më i qetë. U bë një njeri krejt tjetër, s’ishte më i dhunshëm. Por mua më rëndonte fakti që s’kishte as gjimnaz, vinim nga sfonde krejt të ndryshme.
Para burgut më merrte nga shkolla, mbante thikën poshtë çantës. Më vinte në shtëpi dhe po të mos i hapja derën, më thoshte: “Do të vras motrën po s’më fole”.
Vetëm tani, vite më vonë, e kam kuptuar që ai ka tentuar të më përdhunojë. Kam tentuar vetëvrasjen. Një natë më rrahu shumë. Shkova në shtëpi duke u fshehur që të mos kuptonin gjë familjarët. Peshoja vetëm 49 kg dhe isha 1.70 e gjatë. Stresi që më shkaktonte ai më shkriu totalisht. Doja të hidhesha nga ballkoni, por një mrekulli ndodhi, nuk e di çfarë.
Vetëm një mësuese në shkollë e kuptoi çfarë po kaloja, por nuk kam kërkuar ndihmë. Diku brenda vetes e dija që kjo s’do ishte jeta ime. Familja e tij e justifikonte njeriun që ishte bërë ai. I ati punonte në tallava, e ëma skllave e të atit.
Ai shkoi në Itali, pas një kohe ra në koma. E takova kur u zgjua që të ndaheshim, dhe e bëra që të më linte ai. U kthye pas shumë kohësh duke më kërkuar. Në atë kohë po njihesha me dikë tjetër që më mbrojti.
Ai më vonë u vetëvra jashtë shtetit. Për të mbaroi jeta, por për mua lindi. Nuk bërtas më natën, siç më thotë partneri që kam sot. Kemi më shumë se 8 vite bashkë dhe një djalë të vogël. Bëj terapi orientale, flas për gjithçka që kam kaluar. Qëllimi është të heq antidepresivin që po marr.
Klodiana tregon për xhelozinë patologjike të babait të saj ndaj nënës. "Ne ishim dy fëmijë dhe fillimet i mbaj mend të mira, por më vonë atij filloi të mos i ecë puna dhe u bë agresiv. Ata ishin të martuar me mblesëri dhe nga jashtë dukej si burri ideal. Ndonjëherë, kur shkonim në plazh, ai bëhej xheloz për rrobat e plazhit të nënës time. Kur ktheheshim në shtëpi, kishte gjyqe që mund të zgjatnin për orë të tëra, dhe kur ajo flinte më shumë sesa zakonisht, ai kujtonte se kishte dalë gjatë natës.
Ai kishte një rivalitet të çuditshëm dhe gjithmonë kishte frikë se për nënën flitej më mirë sesa për të. Nëna kishte një profesion të lirë dhe punonte nga shtëpia, por ai dyshonte se femrat me të cilat ajo punonte i sillnin letra dashurie nga burra të tjerë. Mami im ishte shumë e butë, ai e bëri të humbiste vlerat e saj.
Tani, pas kaq shumë vitesh, ata të dy janë të çrregulluar. Babai im është në mjekim dhe po përpiqem të ndihmoj nënën, por ka shumë vështirësi. Unë kam kaluar shumë trauma dhe barra ishte e madhe, sidomos kur u largova, sepse mami nuk kishte më mundësinë të shprehte diku emocionet e saj. E kam pasur vështirë me meshkujt për shkak të ndikimit të babait tim dhe xhelozisë që kam përjetuar.
Tani jam në një lidhje, por ende përjetoj pasiguri dhe kontroll ndaj partnerit. Ndonjëherë, jam ende e mbërthyer nga ato ndjenja të vjetra të xhelozisë. Kam menduar për një fëmijë, është gjëja që dua më shumë në këtë fazë të jetës."
Shenjat e para të xhelozisë së tij nisën tre-katër muajt e parë. Unë kam qenë 17 vjeç, ai 28 vjeç. Filloi dhuna ndaj meje. S’kishim qenë as të fejuar dhe më ndaloi të shkoja në shkollë. As të haja bukë kur doja s’më lejohej. Më thoshte që duhej ta hapja telefonin me zilen e parë.
Në shkollë isha një herë në orë të mësimit, s’iu përgjigja që në fillim, ai hyri brenda duke ulëritur. U fsheha në tualet. Erdhi, më gjeti dhe më goditi me shkelm në fytyrë dhe më theu hundën. Thjesht kam parë gjak dhe ndjeja shumë dhimbje. Kisha shumë frikë çfarë do ndodhte më pas. Nuk reagoi askush. Vazhdoja e lidhur nga frika. Thoshte: “Do të të vras babin, familjarët.”
Kur e morën vesh në familje, më mbyllën në shtëpi, por kontaktin me të e mbaja në telefon. Edhe në polici shkuam, por s’u bë gjë sepse ai ishte “i forti”. Më mirë që s’u përball me babin sepse do përfundonte keq për njërën palë.
Një ditë ikëm në një vend dhe në atë shtëpi ishin dhe ca shokë të tij. Më tregoi armën dhe më detyroi të bëja atë që thoshte ai. Më detyroi t’u bëja seks oral shokëve të tij, ndërkohë që ai shihte. Unë kam një mama të bukur dhe më thoshte: “Ti do bëhesh si mami jot,” — sepse sipas tij, një grua e bukur ishtëe k*rvë.
Pas asaj ngjarjeje ai vazhdoi sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Unë kam tentuar tre herë të vras veten. Një herë piva një grusht me barna por më çuan njerëzit që më panë rrugës në spital. Në shtëpi kam prerë damarët ,por më gjetën prindërit.
I vetmi moment kur ai kishte ndjeshmëri, ishte kur konsumonte lëndë narkotike. Jetonte vetëm me mamin. Babai i tij kishte krijuar familje diku jashtë.
U shkëputa gradualishte prej tij duke e kundërshtuar në urdhrat që më jepte. Kanë kaluar rreth 8 vite dhe ende më shkruan. Sot kam një vajzë 6 vjeç dhe frika ime më e madhe është t'i ndodhë një histori e ngjashme me timen.
Sot jam 28 vjeç. Kam qenë i fejuar dhe bashkëjetoja me partneren time. Ishim lidhur prej tre vitesh, gjithçka nisi bukur, jemi njohur në universitet, kishte shumë kimi, por me kohën ndjeva një lloj distance prej saj. Ishte vajzë shumë e bukur dhe kjo më mbushte me ankth... nuk më ndodhte shpesh, por me të, ndihesha sikur duhej të isha gjithmonë në kontroll të situatës.
Në një moment, gjatë kohës që bashkëjetonim, zbulova disa mesazhe që ajo kishte shkëmbyer me një djalë tjetër. Nuk ishte ndonjë provë e fortë për tradhti, por për mua, mënyra si fliste, mënyra si i buzëqeshte dikujt tjetër virtualisht, më bëri të shpërthej. E ndjeva që po më fshihej diçk, dhe që kisha humbur kontrollin ndaj marrëdhënies.
Kemi debatuar shumë atë natë. Dhe në një moment, kur tentova të afrohesha dhe ajo u tërhoq, e shtyva pa menduar. Ajo u gërvisht në faqe kur e preku ora ime. Ajo më denoncoi në polici menjëherë.
E kisha parë që më herët një sjellje të saj që më trazonte. Më kujtohet mirë: në festën tonë të fejesës, ajo flirtoi me një koleg të punës. Mua m’u errën sytë atë ditë, por nuk reagova. Pas asaj feste, kur shkuam për të njohur disa të afërm të saj, ajo më prezantoi thjesht si “shok”. Atë moment ndjeva sikur u përplasa me një mur. Si mund të isha thjesht një shok për dikë që kisha tre vite lidhje?
Pas incidentit me shtyrjen dhe plagosjen, ajo nxori një urdhër mbrojtjeje. Që prej asaj dite nuk jam afruar më. As nuk më dha mundësi të shpjegohesha. As unë nuk insistova më. U thye diçka që nuk riparohej dot.
Më mbertheu xhelozia për bashkëshortin. Kur linda çunin, pas lindjes së parë, fillova të krijoja një mijë e një skenare në kokën time. Në punë i thosha pse qesh me klientet, me punëtoret. Kisha xhelozi edhe më përpara, por më vonë u bë e tepërt, e pashpjegueshme, dhe ndodhte prej meje.
Unë jam rritur në një vend shumë më patriarkal, ku xhelozia dhe kontrolli perceptoheshin si “kujdes” ose si “dashuri”. Ndërkohë, bashkëshorti im ka qenë gjithmonë një njeri me mendje të hapur, shumë i kujdesshëm dhe i ekuilibruar. Më shqetësonte fakti që nuk bëhej xheloz, dhe i thosha: “Pse nuk bëhesh xheloz?” – sikur kjo do të më provonte që më donte më shumë.
Kjo gjendje zgjati për rreth dy vite. E kuptova se çfarë po bëja vetëm kur një shoqja ime më tregoi se burri i saj po sillej në të njëjtën mënyrë me të – dhe ajo po e përjetonte keq.
Kam punuar shumë me veten që të kuptoj çfarë fshihej pas këtyre ndjenjave. Kam reflektuar thellë dhe kam zbuluar se kontrolli im vinte nga pasiguritë e mia, nga frika ime se mos humbja dikë që doja.
Nuk e kam më këtë tendencën kontrolluese. Kam lënë pas shumë prej atyre mendimeve, sepse kam kuptuar se nuk ka gjë më të rëndësishme në jetë sesa të jem e lumtur me veten time. Jam pak e mërzitur, po, që humba dy vite të jetës sime duke u përpirë nga një xhelozi pa kuptim. Dhe më shumë akoma që nuk i kam shijuar ato dy vite siç duhej me djalin tim të vogël. Xhelozia më zgjoi një ankth që s’e kisha provuar kurrë më parë.
Episodi me rrëfimet e plota:
Artikuj të sugjeruar: