
Një grua 73-vjeçare nga shteti indian i Andhra Pradesh solli në jetë dy vajza binjake. Ato u ngjizën përmes fertilizimit in vitro dhe lindja u realizua me operacion cezarian.
“Nëna dhe fëmijët janë mirë,” tha Dr. Uma Sankar për BBC.
Mangayamma Yaramati tha se ajo dhe bashkëshorti i saj, që është 82 vjeç, kanë dashur gjithnjë të bëhen prindër, por s’kanë mundur deri më sot.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur,” tha bashkëshorti i gruas, Sitarama Rajarao, pak orë pas lindjes së vajzave.
Një ditë më pas, Rajarao pësoi ishemi dhe po trajtohet në spital.
“S’kemi asgjë në dorë. Çfarë është për t’u bërë, do të bëhet. E ka Zoti në dorë,” tha Rajarao kur u pyet se kush do të kujdesej për fëmijët në rast se atyre u ndodhte gjë si pasojë e moshës së thyer.
Fëmijët ishin me rëndësi të veçantë për çiftin pasi ndiheshin të paragjykuar nga komuniteti. “Më quanin grua pa fëmijë,” tha Yaramati. “Kemi provuar shumë herë dhe doktorë të ndryshëm dhe kjo është periudha më e lumtur e jetës sime.”
Burimi: BBC