Gjatë një interviste në “The Late Show with Stephen Colbert”, i pyetur se për çfarë flet filmi “Cats”, Idris Elba, aktor në muzikalin më të përfolur të momentit, nuk ia kishte idenë historisë.
Pasi u përpoq të gjente fjalët e duhura, Idris arriti të thoshte: “është një klasik, është një muzikal klasik i Andrew Lloyd Webber. Mendoj sa ka të bëjë me një mace.”
Më pas, shtoi se “është një udhëtim drejt asaj që quhet si parajsa e maceve”. Ndonëse lexoi skenarin, bëri prova për rolin dhe madje ndoqi edhe një kurs nga specialistë të maceve, sërish Elba nuk ia doli të dinte kuptimin e plotë të fabulës.
Ai theksoi se regjisori Tom Hooper dëshironte që të gjithë të regjistroheshin në kurse për macet, në mënyrë që aktorët ta mishëronin sa më mirë personazhin e tyre.
“Cats” (Macet) është një film muzikal dhe fantazi britaniko-amerikan i vitit 2019, një version live-action i muzikalit me të njëjtin emër, që në vetvete bazohet te përmbledhja poetike “Old Possum’s Book of Practical Cats” nga poeti i njohur i shekullit XX, Thomas S. Eliot.
Filmi, me regji nga Tom Hooper që sjell muzikalin e dytë pas “Les Misérables” (Të mjerët) në vitin 2012, ngjalli debat të ashpër në rrjet, fill pas publikimit të trailerit që duhet thënë është zhgënjyes. Pavarësisht pjesëmarrjes së emrave të njohur si James Corden, Judi Dench, Jason Derulo, Idris Elba, Jennifer Hudson, Ian McKellen, Taylor Swift, Rebel Wilson etj, filmi u prit tmerrësisht keq.
Të shumtë janë njerëzit që theksojnë se “nuk prisnin këto karaktere”. Macet nuk ngjasojnë fare me strukturën e tyre anatomike dhe personazhet duken tejet të çuditshëm. Për shembull, shihni bishtin në këtë foto:
“Cats” del në kinema në dhjetor të 2019-s dhe njerëzit nuk janë fare entuziastë. Në videon e publikuar nga Universal Pictures në YouTube, “Cats – Official Trailer” ka mbi 279,000 mospëlqime në raport me 101,000 pëlqime.