High Tech

Ne e dimë ç’lloj pornoje shihni

Shkruar nga Anabel

19 Korrik 2019

Ne e dimë ç’lloj pornoje shihni

"Ne e dimë ç’lloj pornoje shihni," tha Google dhe Facebook, nga ku me shumë mundësi po lexoni këtë artikull. Këto dy kompani janë aq të fuqishme sa dinë thuajse gjithçka rreth jush, përfshirë llojin e pornografisë që konsumoni.

Sipas një studimi të kohëve të fundit, u zbulua se Facebook, Google dhe Oracle monitorojnë llojin e pornografisë që konsumohet përmes një mjeti që quhet webXray, i cili gjurmon të dhënat dhe ua dërgon palëve të treta.

Edhe nëse përdorni opsionin “incognito,” që premton mosruajtjen dhe mosgjurmimin e historisë, kompanitë e lartpërmendura ju gjurmojnë gjithsesi. “Incognito” thjesht do të thotë që të dhënat nuk ruhen në kompjuterin e përdoruesit.

Gjithë faqet që e zëmë Sara viziton, vëzhgohen, gjurmohen dhe regjistrohen. Shpeshherë, iu dërgohen palëve të treta që fare mirë mund të informohen mbi orientimin seksual të Sarës nëse duan përmes faqeve që ajo viziton. Këto të dhëna përdoren për të ndërtuar një profil të konsumatorit e për të marketuar në mënyrë më efiçente produkte të ndryshme.

Studimi, i cili analizoi 22,484 faqe me natyrë seksuale, u realizua nga studiuesit e Carnegie Mellon, University of Pennsylvania dhe Microsoft, që konkurron me Google dhe Oracle.

Google ka gjurmues në 74% të faqeve, Oracle në 24 dhe Facebook në 10%.

Burimi: Fox News